Tetovë, rrugët njëkahëshe presin Këshillin

Shpallja e rrugëve njëkahëshe në Tetovë, që janë rreth 20, ende nuk merr dritë të gjelbër nga ana e Këshillit të Komunës së Tetovës. Sipas informacioneve të deritanishme, kjo pikë e rendit të ditës njëherë është hequr nga rendi i ditës kurse më pas, nuk është vendosur, shkruan gazeta KOHA. Edhe nga Këshilli edhe nga Komuna e Tetovës thonë se mosvendosja në rend dite është bërë për shkak të konsultimeve shtesë pasi kur rrugët të shpallen njëkatëshe, të njëjtat nuk mund të ndërrohen.

Marketing

“Nuk ka problem, mirëpo i njëjti propozim vendim para dy seancave është sjellë në seancë, më pas është hequr nga rendi i ditës për dokumentacion shtesë. Qëllimi është që kur e njëjta pikë të vijë në rend dite, të prezantohet para këshilltarëve dhe rrugët që planifikohet të jenë njëkatëshe, të vendosen si të atilla për të mirën e qytetarëve dhe të jenë në funksion për të zbutur kaosin në komunikacionin në rrugët e qytetit të Tetovës. Pikërisht kjo ka qenë arsyeja që kjo pikë ende nuk është vendosur në rend dite dhe kur të jetë e gatshme – do të miratohet”, tha Bekim Memeti.

Nga ana e sektorit për komunikacion në Komunën e Tetovës thonë se pas tërheqjes nga rendi i ditës si propozim-vendim, janë bërë konsultime shtesë dhe dokumentacioni sërish është dërguar në Këshill.

“Para dy seancave ishte në rend ditë kjo pikë, por me kërkesë të këshilltarëve, është tërhequr nga rendi i ditës me qëllim që të bëhen konsultime shtesë. Këto konsultime së bashku me vërejtjet janë rregulluar dhe kompletuar në dokumentacion dhe janë dërguar që në seancën paraprake, por ende nuk janë gjendur në rend dite. Tashmë është punë e këshillit se kur do të kalojnë në seancë dhe është në duart e këshillit, kurse ne së bashku me policinë kemi bërë koordinimet e nevojshme”, thonë nga sektori për komunikacioni pranë Komunës së Tetovës. Nga Policia e Tetovës thonë se Komuna ende nuk ka dërguar kërkesë për marrjen e pajtueshmërisë për rikahëzimin e disa rrugëve në njëkahëshe e që paraqet një obligim të rregullt ligjor.

“Nëse do të kishte një kërkesë të këtillë, menjëherë ekipet tona do të dalin në teren dhe do të vërtetojnë se a janë plotësuar kushtet dhe kriteret për marrje të pajtueshmërisë për rikahazimin e komunikacionit. Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, konkretisht sipas disa parametrave do të vlerësojë cila rrugë pas rikahëzimit mund të ndikojë në sigurinë e përgjithshme në komunikacionin rrugor në pajtim me rregullativën ligjore”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë.

Nga Policia e Tetovës njoftojnë gjithashtu se vazhdojmë të marrin masa dhe aktivitete për siguri më të madhe në komunikacionin rrugor në Tetovë dhe rrethinë. Sidomos kjo ka të bëjë me rritjen e frekuentimit të automjeteve në rrugët e Tetovës në këtë periudhë. (koha.mk)