Tetovë, teatrit e bibliotekës s’i shihet fundi

Ndërtimi nisi në vitin 2014, u premtua se do të jetë gati në vitin 2017, por 6 vite më pas objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës nuk i shihet fundi. Premtimi i ri është se godina do të jetë gati në vitin 2026, përkatësisht 12 vite pas vendosjes së gur-themelit .

Marketing

“Tani është faza e dytë e ndërtimit të objektit që filloi në shtator të vitit 2021 dhe punimet rrjedhin sipas dinamikës së paraparë. Tani sipas informacioneve dhe njoftimit të Qeverisë së Maqedonisë së veriut, realisht duhet të përfundojë në fillim të vitit 2026. Tash mund të shtyhen punët shkaku i paraqitjes së problemeve të pa parashikuara por besojmë në 2026 do jetë gati objekti i teatrit dhe bibliotekës së Tetovës”, tha Vullnet Fejzullai. Sekretar teknik i Shtëpisë së kulturës.

Aktorët e Teatrit të Tetovës, të cilët funksionojnë si qiraxhi në shtëpinë e kulturës, nuk kanë as kushtet minimale për punë.

“Më shumë i ka kushtuar qytetit të Tetovës, më shumë i ka kushtuar publikut të Tetovës, rinisë së Tetovës, sepse një teatër që nuk ka repertoar të rregullt të shfaqjeve çdo natë, nuk kultivon dot publik në mënyrë që kultivojnë teatrot normale të botës. Çka humbim ne si aktor si staf teknik si regjisor. Kemi humbur shëndetin së pari duke punuar nga minus 20 sepse tek ne është ftohtë dhe kjo ndikon në jetën dhe shëndetin tonë, kushtet teknike janë minimale për një teatër dhe kjo na bën të ndjehemi inferior dhe si artist të dorës së dytë në këtë shtet”, u shpreh Elmir Sejfullai – aktor.

“Kur i lexoj këto shifra 25- 27 30 – 37 më duket krejt pa kuptim dhe më shfaqet përpara personazhi i Stragonit në dramën e Samuel Becket, që vazhdonte të besonte se Godoja do të vij, dhe priste pafund, por Godoja nuk erdhi kurrë, edhe kjo më duket ngjashëm”, shtoi Ermal Çanga – aktor.

“Ata nuk janë në gjendje të krijojnë kushte në godinën ekzistuese e lere më të bëjnë një të re, e të bëjnë zërimi kushte e gjëra. qesharake është më kjo temë. ata janë të paditur, thonë gjithnjë do shkojmë në Evropë, po bëjeni teatrin dreqi e mori bëjeni çka t`iu ofrojmë qytetarëve ne. të paktën nuk do kemi nevojë të ua arsyetojmë fëmijëve, sepse djali im që ka tani 10 vjet do ik në gjermani dhe s`do kem nevojë t`ia arsyetoj neglizhencën, do i them ik dhe ti si tjerët”, deklaroi Blerim ismani – Aktor.

Kompania që realizon punimet në objektin e Teatrit dhe Bibliotekës ka pezulluar punët në këtë projekt, shkaku i fondeve që ende nuk janë lëshuar. Gur themeli i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës, u vendos në 28 nëntor të vitit 2014./Alsat.mk