Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili bashkë me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, pritet të marrin pjesë në Samitin e nesërm të Berlinit, ka thënë se ky takim nuk do të sjellë proces të ri, por se, sipas tij, do të krijohen mundësi për zgjidhjen e problemeve e që si shembull do të merret marrëveshja Maqedoni-Greqi.
Në një postim në Facebook, Thaçi ka thënë se ditëve të fundit ka zhvilluar konsulta me partnerët ndërkombëtarë për konferencën e nesërme në Berlin, të ftuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron.
“E mirëpres rritjen e angazhimit të Gjermanisë dhe Francës rreth Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, si dhe Kosovës në veçanti. Në këtë takim do të vlerësohet progresi substancial i deritashëm. Takimi i Berlinit nuk do të sjellë një proces të ri, por do të kërkohen mundësi për zgjidhjen e problemeve, duke marrë shembull marrëveshjen e suksesshme ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Greqisë”, ka thënë Thaçi, raporton Koha.net.
Në takim, sipas presidentit, theks i veçantë do t’i jepet mundësisë së vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, “që do të sjellë stabilitet edhe më të madh në Ballkanin Perëndimor”.
“Po ashtu, pres nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron që të tregojnë mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si respektim i kontratës ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës”, deklaroi Thaçi.
Kosova, sipas tij, ka përmbushur të gjitha kriteret dhe “e meriton lëvizjen e lirë si të gjithë qytetarët tjerë të rajonit dhe kontinentit”.
“Nëse diçka e tillë nuk ndodh, takimi i Berlinit do të jetë zhgënjyes për qytetarët e Kosovës.
Në këtë takim do të kërkoj edhe dënimin e gjenocidit të shtetit të Serbisë në Kosovë, në vitet 1998-1999”, potencoi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Kreu i shtetit tha se në takim, delegacioni i Kosovës do të fokusohet edhe në mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe në forcimin e rendit dhe ligjit, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Thaçi se vendi do të konfirmojë edhe përkushtimin për të vazhduar, siç tha ai, “pa kompromis luftën kundër radikalizmit, terrorizmit dhe çdo lloj ekstremizmi”./koha.net