Thellohet bilanci tragjik në Nepal dhe Tibet, mbi 1,000 të vdekur dhe 4,462 të zhdukur
Mbi 1,000 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet dhe rrëshqitjet masive të dheut në Nepal dhe Tibet, ndërsa më shumë se 4,400 të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Sipas bilancit më të fundit, 987 persona kanë vdekur në Nepal, ndërsa 13 të tjerë në rajonin kinez të Tibetit. Në të dyja zonat, 4,462 persona janë ende të zhdukur.
Katastrofa ka shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë, ndërsa qindra persona kanë mbetur të bllokuar në hidrocentrale në zonat malore të Himalajeve. Ekipet e shpëtimit kanë përdorur ura të përkohshme dhe mjete të rënda për të arritur në zonat e izoluara. Deri tani, rreth 279 punëtorë janë nxjerrë të gjallë nga hidrocentralet, ndërsa qindra të tjerë vijojnë të jenë të bllokuar.
Kryeministri i Nepalit, Balendra Shah, deklaroi se mbi 11,000 persona janë shpëtuar deri tani. Në disa prej zonave më të prekura është rikthyer energjia elektrike, komunikimi dhe lidhja rrugore.
Një nga zonat ku është rikthyer aksesi është Nuwakot, e cila ishte ndër më të goditurat. Rikthimi i rrugëve ka bërë të mundur vazhdimin e operacioneve të kërkim-shpëtimit dhe dërgimin e ushqimeve dhe ndihmave të tjera.
Nepali ka marrë gjithashtu më shumë se 42 milionë dollarë ndihmë ndërkombëtare, ndërsa India dhe Kina po kontribuojnë në operacionet e shpëtimit dhe në rikthimin e lidhjeve me zonat e izoluara.
Kryeministri Shah e ka lidhur përkeqësimin e katastrofave në Himalaje me ndryshimet klimatike, duke paralajmëruar se rreziqet për rajonin po shtohen.
Nepali është veçanërisht i ekspozuar ndaj përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut për shkak të terrenit malor. Ndërkohë, shkrirja e akullnajave në Himalaje përbën një kërcënim për miliona njerëz që varen nga ujërat e këtij rajoni.
Autoritetet nepaleze paralajmërojnë se rindërtimi pas katastrofës mund të kushtojë miliarda dollarë, duke rënduar më tej ekonominë e vendit. Ekspertët e OKB-së kanë paralajmëruar se ndryshimet klimatike po i bëjnë fatkeqësi të tilla natyrore më të shpeshta dhe më intensive.
