“Ti je e jona, por kaurit do t’ia shkatërrojmë familjen”, me këto fjalë, në gjuhën shqipe avokati i deputetit të BDI-së, Ejup Alimi i është drejtuar prokurores Fatime Fetai duke i përcjellë kërcënimet në adresë të kolegut të saj Gavrill Bubevski, transmeton koha.mk. Këtë sot e ka zbuluar Fetai në gjykimin për rastin “Titanik 3”, ku të akuzuar janë Ejup Alimi dhe Ismet Guri. Avokati Mefail Arsllani në gjykatë zëshëm ka mohuar atë që ka thënë Fetai.
Sipas informacioneve, ngjarja ka ndodhur rreth para një muaji në parkingun e QT “Mavrovasja”. Përveç Fetait, dëshmitarë e kërcënimit ka qenë edhe një grua e cila ka qenë në shoqëri të saj. Bubevski për Kanal 5 ka thënë se ka qenë i njoftuar me rastin, por deri tani nuk e ka paraqitur, edhe pse për atë prokuroria e Shkupit mund të veprojë sipas detyrës zyrtare. “Konsideroj që kërcënimi është dhënë në afekt, për shkak të dëshpërimit. Por, nëse prokuroria e Shkupit konsideron se duhet të hapet procedurë unë jam i gatshëm dhe dy dëshmitarët të tregojnë atë që kanë dëgjuar”, ka deklaruar avokati Gavril Bubevski.
Kanal 5 ka kontaktuar edhe me deputetin Alimi. Ai ka pohuar se nuk ka arsye se pse të kërcënojnë prokurorët. “Nëse ashtu në atë mënyrë i ka kërcënuar avokati dhe ata nuk kanë marrë asnjë veprim, atëherë unë nuk kam asnjë koment. Unë nuk kam aspak njohuri dhe nuk kemi patur rrethana të atilla që t’i kërcënojmë. Puna jonë ka qenë të dëshmojmë se nuk jemi fajtor. E tani, nga fundi i gjykimit ata nuk mund të dëshmojnë atë që e kanë ngritur dhe duhet të kërkojnë falje”, është shprehur deputeti Alimi.
Gjykimi për këtë lëndë sot është anuluar për shkak se gjykata sërish me urgjencë përmes Ministrisë së Drejtësisë do të kërkojë të sigurohet dëshmitari R. B, sepse jeton në Gjermani. Gjykatësja Olja Ristova ka obliguar PSP të angazhohet që të sigurojë dëshmitarin që është i rëndësishëm për procesin. (koha.mk)