Tirana dhe Struga nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi

Veliaj: Promovimi i të rinjve, pasaporta jonë europiane! Ramis Merko: Tirana, udhërrëfyese e punëve tona

Marketing

Tirana dhe Struga do të punojnë bashkë për zhvillimin e nismave dhe projekteve në fushën e teknologjisë, mjedisit, turizmit dhe kulturës. Bashkia e Strugës, në bashkëpunim me Lëvizjen Popullore “Bashkimi”, ka shprehur interesin të bashkëpunojë me Bashkinë e Tiranës dhe Unionin e Bashkive Shqiptare në Rajon për realizimin e këtyre nismave.

Në nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy qyteteve, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Strugës, Ramis Merko, kryebashkiaku Erion Veliaj shprehu vullnetin e Tiranës për të çuar përpara projektet.

“Nëse kemi hapësira ku mund të bashkëpunojmë, për të forcuar marrëdhëniet dhe të organizojmë aktivitete të përbashkëta, ta bëjmë me shumë kënaqësi këtë vit, kur Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë. Shumica e stafit janë të rinj, pjesa më e madhe e drejtuesve janë vajza dhe zonja, çka tregon fytyrën tonë të emancipuar. Pasaporta jonë europiane është jo vetëm si duken qytetet, por edhe si menaxhohen”, deklaroi Veliaj.

Ai u shpreh se marrëdhënia speciale mes dy qyteteve reflektohet edhe në numrin e lartë të turistëve në të dy anët.

“Dua që qytetarët, këtej dhe andej kufirit, ta shfrytëzojnë këtë hapësirë të përbashkët turistike, si për qytetarët e Strugës që vijnë në fundjavë në Tiranë për muzikë, shoping apo aktivitete, dhe anasjelltas. Një milion qytetarë të Tiranës kanë një mundësi të shkëlqyer ta vizitojnë Strugën. Mezi pres që, siç ne kemi një raport special, ashtu edhe qytetarët tanë ta kenë një raport të tillë special mes tyre dhe të mundohemi t’i inkurajojmë lëvizjet këtej dhe andej kufirit”, dekleroi Veliaj.

Kryetari i Komunës së Strugës, Ramis Merko vlerësoi Tiranën si shembull që duhet ndjekur edhe nga njësitë e tjera vendore në rajon.

“Është privilegj për ne, si qytet i vogël, të bashkëpunojmë me një bashki shumë të madhe dhe me një kryetar që e njeh e tërë bota, jo vetëm Shqipëria, Maqedonia e Veriut apo rajoni. Çdo herë ju kemi ndjekur dhe ju kemi si “brand” të kryetarëve në rajon. Masat që merrni dhe punët që bëni kemi filluar t’i praktikojmë edhe nëpër bashkitë dhe komunat tona. Ju jeni këtë vit Kryeqyteti i të rinjve dhe të rejave, që edhe për ne është një shtysë në këtë drejtim. Masat që keni marrë, si Dita pa Makina ose mbjellja masive e pemëve, na ka inkurajuar edhe ne që të ndërmarrim nisma të tilla. Tirana është edhe si udhërrëfyese e punëve që duhet t’i bëjmë edhe ne”, u shpreh Merko.

Marrëveshja e lidhur mes Tiranës dhe Strugës parashikon bashkëpunimin për binjakëzimin mes dy bashkive, zhvillimin e turizmit, krijimin e javës kulturore “Kultura e dy qyteteve”, zhvillimin e aplikacionit online për kapacitetet industria–ekonomike, zbatimin e projektit për mbrojtjen nga ndotja “Të dielat jeshile”, projektin e mbjelljes së pemëve nga qytetarët “Pema ime binjake”etj./tvklan.al