Tiranë: Në pritje të protestës së opozitës, thirrje për tubim paqësor

Në Tiranë, partitë e opozitës pritet të zhvillojnë në mbrëmje një tjetër tubim proteste për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ata kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare, të organizuar nga një qeveri tranzitore. Opozita e akuzon kryeministrin Rama për korrupsion, kërcënim të votuesve dhe blerje të votave në zgjedhjet e fundit. Gjatë tubimeve të saj disa institucione janë goditur me shishe me lëndë djegëse dhe sende të forta e shpërthyese.

Marketing

Autoritete të larta shqiptare dhe ndërkombëtare po u bëjnë thirrje opozitarëve që të zhvillojnë sonte një protestë paqësore. Presidenti Ilir Meta shpërndau një deklaratë, ku theksoi se shqiptarët më mirë të protestojnë për të drejtat e tyre, se sa të largohen nga vendi. Ai shtoi se aktet e dhunës në protestat e mëparshme janë të papranueshme, por drejtësia e kauzës nuk duhet të cenohet nga veprime të papërmbajtura të disa individëve. “Imazhet tërësisht paqësore të protestës do t’i shërbejnë më mirë të ardhmes europiane të Shqipërisë, tha presidenti Meta.

Po sot, drejtuesit më të lartë të OSBE-së dënuan fuqishëm dhunën e protestuesve në tubimin e 11 majit. Në një deklaratë të përbashkët publikuar sot, ata theksuan se dhuna është e papranueshme dhe se trazirat nuk mund të zëvendësojnë angazhimin politik demokratik. Drejtuesit e OSBE-së deklaruan se koktejlet e molotovit, hedhja e gurëve dhe e shashkave janë të paligjshme; por edhe reagimi i tepruar i forcave të rendit nuk mund të pranohet. “Pjesëmarrësit dhe drejtuesit e protestës së sotme duhet të jenë të përmbajtur. Përmendja e derdhjes së gjakut, pak ditë përpara një proteste publike, nuk përputhet me demokracinë moderne dhe me protestat demokratike” – thekson OSBE në deklaratën e saj.

Marketing