Tmerri i asaj dite është thuajse i paimagjinueshëm: Rrëfimi i nënës ukrainase që pa vrasjen e vajzës dhe bashkëshortit të saj

Viktoria Kovalenko e kujton qartë atë moment.

Marketing

“Ishte një shpërthim, ose disa të shtëna. Më shurdhuan. Xhami i pasmë u thye. Burri im bërtiti: ‘Dil nga vetura’”.

Tmerri i asaj dite është pothuajse i paimagjinueshëm.

Nëntë ditë pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë, ndërsa luftimet filluan të intensifikoheshin, Viktoria dhe burri i saj Petro kishin vendosur më në fund të iknin nga Chernihiv, në veri të vendit.

Ata donin t’i mbanin fëmijët të sigurt.

Veronika 12-vjeçare ishte vajza e Viktorias nga martesa e saj e parë. Vajza tjetër e saj, Varvara, është vetëm një vjeçe.

Ata morën ato që u duheshin dhe u larguan me makinë nga shtëpia e tyre familjare.

Teksa u larguan nga periferia e qytetit, duke u nisur nga jugu, pranë fshatit Yahidne, gurët ua kishin bllokuar rrugën.

Petro u ndal, doli nga vetura dhe filloi t’i largojë gurët nga rruga.

Disa sekonda më vonë, makina e tyre u qëllua me armë.

“Vajza ime e madhe Veronika filloi të qajë, sepse kokën më kishte prerë një copë xhami dhe më rridhte gjak”, thotë Viktoria.

Teksa flet, ajo tregon një pikë lart në mollëzën e saj të majtë, një shenjë të vogël.

“Veronika filloi të bërtiste, duart i dridheshin, kështu që unë u përpoqa ta qetësoja. Ajo doli nga makina dhe unë shkova ta ndjek. Sapo dola, e pashë të rrëzohej. Kur pashë, ‘i kishte shkuar koka’”.

Vetura ishte goditur nga një predhë ruse dhe shpërtheu në flakë.

“Unë u përpoqa të qëndroja e qetë, mbaja vajzën time të vogël dhe më duhej ta çoja në një vend të sigurt”.

Ajo nuk e pa më Petron, por heshtja e tij i bënte me dije Viktorias se edhe burri i saj kishte vdekur.

Ajo iku nga makina që digjej. 24 orët e ardhshme ishin një përpjekje e dëshpëruar për të mbetur gjallë.

Viktoria dhe foshnja e saj, Varvara, gjetën strehë në një makinë të parkuar, por më pas të shtënat filluan përsëri.

Ajo vrapoi në një ndërtesë të vogël që ishte përdorur qartë nga ushtarët. E fshehur aty, ajo fiku telefonin për të kursyer baterinë – mendonte se si do ta mbante veten dhe vajzën e saj të sigurt.

Të nesërmen, ata u zbuluan nga patrulla e trupave ruse. Ato u dërguan në një shkollë në Yahidne dhe u mbajtën rob në një bodrum.

Nëna dhe foshnja kaluan 24 ditët e ardhshme atje, në kushte të tmerrshme.

Viktoria kishte parë njerëzit që vdisnin rreth saj, në pamundësi për të pasur qasje në kujdesin mjekësor që kishin nevojë.

BBC shkruan se ka vizituar bodrumin dhe ka folur me njerëzit e tjerë të mbajtur atje.

Të burgosurit përshkruajnë se si trupat e shtrirë kishin mbetur të pambledhur për orë të tëra, ndonjëherë me ditë, përcjell Telegrafi.

Kishte 40 njerëz në dhomë, thotë Viktoria, me pak hapësirë për të lëvizur ose për të ecur. Nuk kishte dritë, ndaj përdornin qirinj dhe çakmakë.

Ishte pluhur dhe nxehtë, dhe Viktoria thotë se njerëzit e kishin të vështirë edhe të merrnin frymë.

Në shumicën e rasteve njerëzit nuk lejoheshin të dilnin as për të përdorur një tualet. Në vend të tyre ata u thanë të përdorin kova.

“Mungesa e lëvizjes i bënte njerëzit të sëmurë, ata uleshin në karrige, flinin në karrige…”, kujton Viktoria.

Pikërisht në këto kushte Viktoria duhej të mendonte se si të tejkalonte humbjen brutale të burrit dhe vajzës së saj të madhe.

Ajo tha se qëndroi aq e qetë dhe e vendosur sa mundi, duke e përqendruar të gjithë energjinë e saj në shpëtimin e jetës së fëmijës së saj të mbetur.

Por ajo u kërkoi robëruesve të saj rusë që të sillnin trupat e Petro dhe Veronikës në shkollë, që ajo t’i varroste.

Ajo dërgoi ish-bashkëshortin e saj, babain e Veronikës, te rrënojat e makinës, në mënyrë që ai të mund të bënte foto të mbetjeve. Ata (të vrarët) mezi njiheshin si njerëz.

Ajo dërgoi ish-bashkëshortin e saj, babain e Veronikës, te rrënojat e makinës, në mënyrë që ai të mund të bënte foto të mbetjeve. Ata (të vrarët) mezi njiheshin si njerëz.

Nga automjeti i djegur nuk mbeti pothuajse asgjë.

Viktoria kujton ditën kur erdhën kufomat.

“Ishte data 12 mars, më morën në telefon dhe më thanë: ‘Shkojmë dhe do të shohësh ku do të varrosën’”.

I varrosën në pyll, në dy varre.

“Ne qëndruam dhe filluam t’i mbulonim me dhe, por filluan granatimet, kështu që ne ikëm para se të kishim përfunduar varrosjen e tyre. Ishte shumë e frikshme”.

E pyetur, se çfarë do t’u thoshte njerëzve që ia bënë këtë familjes së saj, Viktoria thotë: “Nëse do të më jepej mundësia për të qëlluar Putinin, do ta bëja. Dora ime nuk do të dridhej”.

Tani Viktoria dhe Varvara janë në një siguri relative të Lviv, në perëndim të Ukrainës. Dhe ajo ka filluar seancat me një psikolog.

“Kur jam me njerëzit, kur bëj diçka dhe komunikoj, harroj atë që ka ndodhur. Por kur jam vetëm, jam e humbur”.

Ndërsa ajo flet, i rrjedhin lotët.

Ajo tregon një varëse çelësash. Ishte një dhuratë nga Veronika. Me të është e bashkangjitur një unazë e vogël ari, e skalitur me shkronja.

“Kjo ishte nga kisha, ajo e bleu edhe për mua. Ajo më ka shpëtuar. Ishte në xhepin tim. Gjatë gjithë kohës, ajo ishte aty duke më mbajtur të sigurt”

Marketing