Tonet e ashpra të presidentit, Meta: Unë zërin kam kur këtu nuk funksionojnë të tjerat

Presidenti Ilir Meta ka deklaruar se është i interesuar për mbarëvajtje të procesit zgjedhor nga Kukësi deri në Sarandë. Meta deklaroi në Syri TV, reagimet e tij kanë ardhur për shkak se situata ka qenë e tensionuar. Kreu i Shtetit tha se duhet shmangu skenari i zgjedhjeve të kaluar që na kanë lënë pas të tjerëve në procesin e integrimit në BE. Meta tregoi edhe një bisedë me Zija Çelën për tonet e ashpra duke shtuar me ironi se kur institucionet nuk funksionojnë atij i mbetet vetëm zëri.

“Jam interesuar që procesi të ketë mbarëvajtje kudo që nga Kukësi deri në Sarandë. Ka pasur edhe mjaft probleme. Situata ka qenë e tensionuar dhe kjo ka sjellë reagim të fortë nga ana ime sepse kam vënë re që ka pasur presion mbi qytetarët. Unë e di sa të rëndësishme janë këto zgjedhje. Jemi 7 vjet pas Serbisë për çeljen e negociatave dhe 9 vjet pas Malit të Zi. Ne kemi qenë para atyre në vitin 2006. Jemi këtu për shkak të mungesës së besueshmërisë në institucione. Rëndësi ka të kthehet normaliteti në vend.

Marketing

Nëse unë kam ngritur zërin nuk ka ardhur për arsye se nuk kam ditur të hesht, por në qoftë se ne e dimë që historia e zgjedhjeve të kaluara, Shijakut dhe Dibrës që janë kusht nga Bundestagu, na kanë mbajtur peng për kaq kohë, çfarë mund të bëj unë kur bëhen gjithë ato kallëzime. Nëse do të pranojmë dhe të ecim në këtë drejtim që Shqipëria të harrojë edhe për katër vite të tjera atë proces.

Si mund të themi se po punohet për hetimin e krimeve zgjedhore që ndodh një ngjarje tragjike me një viktimë dhe personat e përfshirë kanë qenë të kallëzuar nga opozita dy tre javë përpara. Ata ftohen më 30 prill për të dhënë dëshminë e tyre. Unë vajta e pashë vetë ngjarjen në Kavajë. Nëse ti i shkon dikujt në shtëpi ai ka të drejtë të bëjë çdo gjë. Sot jam shumë i qetë sepse kam kohë që e pres këtë ditë që të flasë sovrani.

Gjithmonë kam punuar që presidenti ta ketë votën të barabartë me qytetarët. Të gjithë kemi vendosur të jetojmë në një sistem që është i bazuar në pluralizmin politik. Jemi këtu ku jemi sepse kemi shkelur kushtetutën. Qytetarët e Shqipërisë i kanë mirëkuptuar shqetësimet e mia. Unë do të vazhdoj ta ul zërin edhe më shumë. Zija Çela më thotë zërin pak. Unë them zërin kam se këto të tjerat nuk funksionojnë”, tha Meta.

Marketing