Ballina Lajme Maqedoni Transporti publik ende pa zgjidhje, mungesa e autobusëve detyron qytetarët të udhëtojnë...

Transporti publik ende pa zgjidhje, mungesa e autobusëve detyron qytetarët të udhëtojnë me taksi

Kështu shprehet një qytetar i cili priti me orë të tëra për autobus në temperatura tejet të larta. Për të kryer obligimet ditore, qytetarët thonë se detyrohen të paguajnë taksi edhe pse kanë të paguar mujoren për transportin publik.

“Ne jemi për në Haraçinë, në Haraçinë s’ka hiç, me taksi erdhëm deri në Singiliq, dhe prej aty me 65 është e Stajkovcës, dhe tani përsëri presim atë të Stajkovcës. Pastaj si do shkosh në Haraçinë? E lash një shok në Hasanbeg të me prese dhe ashtu shkojmë, dorë në dorë – veturë në veturë. Unë të tregoj i kam 70 vjet i lindur në Haraçinë, dhe aty kur ka qenë 40 shtëpi në çdo 15 minuta kishte autobus e tani dy a tre orë nuk ka, deri aty kemi arritur”, tha një tjetër qytetar.

“Sa kohë që pret? Ka një orë që jam këtu, këtë e gjeta këtu duke pritur por në përgjithësi çdo ditë është kjo, janë reduktuar autobusët këto privat nuk funksionojnë aspak”, theksoi një qytetar.

Përveç të moshuarit nga Haraçina i cili priti me orë për autobus, u nisen me vrap edhe shumë qytetarë tjerë që të arrijnë të gjejnë vend në autobusët edhe pse pothuajse ishte mision i pamundur për shkak të linjave të reduktuara të transportuesve privatë.

“Shkruan atje që ka, por jo, atje shkruan që edhe 4 minuta të shohim a do të vije 65”, deklaroi një qytetare.

“Jo vetëm sot por çdo ditë është kjo, ndonjëherë presim nga dy a tre orë dhe nuk vinë”, tha një tjetër qytetare.

Sipas informatave tona, situata e tillë do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, ndërsa do të jetë edhe më vështirë për qytetarët pasi reduktimi i linjave të autobusëve privatë do të zhvendoset nga ora 17 e pasdites. Revolta e transportuese është për shkak të siç thonë borxhit të papaguar nga Ndërmarrja e Qarkullimit Publik, që sipas tyre arrin në rreth 2 milion euro. Takimi mes drejtorit të ri të NQP-së dhe vozitësve privatë ende nuk ka ndodhur edhe përkundër thirrjes për gjetjen e zgjidhjes. /Alsat.mk

Marketing
Exit mobile version