Tripunovski: Dy subjekte juridike kanë keqpërodur rreth 785 mijë euro para të shtetit 

Dy subjekte juridike, jashtë procedurave dhe në mënyrë të paligjshme kanë shfrytëzuar shuma të mëdha të parave të shtetit, në formë të subvencioneve, edhe pse nuk e kanë paguar tokën bujqësore që e kanë marrë qira. Ministri i Bujqësisë, Cvetan Tripunovski thotë se bëhet fjalë për rreth 785 mijë euro, para të buxhetit. Ai nënvizon se këto janë vetëm dy nga 5 skandalet për të cilat po punohet aktualisht, ndërsa 3 rastet e tjera do të publikohen pasi të sigurohen dëshmi të forta.

Marketing

“Subjekti juridik AR eksport nga Strumica, ka shfrytëzuar sipas marrëveshjes tokë bujqësore, nuk ka paguar qira për të njëjtën, nuk e ka përpunuar dhe në kundërshtim me ligjin ka shfrytëzuar subvencione nga ana e shtetit, me çka e ka dëmtuar në mënyrë direkte buxhetin e shtetit. Meqë ministria e bujqësisë nuk ka reaguar për shkeljen e tillë të procedurave shtrohet pyetja nëse me vetëdije është lejuar që ky subjekt juridik, ta dëmtojë buxhetin e RMV-së…”, tha Cvetan Tripunovski, Ministër i Bujqësisë.

Rasti tjetër ka të bëjë me një tjetër tokë bujqësore që është marrë nga një tjetër subjekt juridik, ndaj të cilit në vitin 2019 ka pasur proces gjyqësor për mospagesë të qirasë për tre vite. Tripunovski tha se në vitin 2021 është miratuar deklaratë për prishje të njëanshme të marrëveshjes me këtë subjekt juridik, por për shkak se Agjëncisë së Kadastrës, ministria nuk i ka dorëzuar ekzemplarin për prishje të marrëveshjes, qiramarrësit i është mundësuar që, edhe pas prishjes së kontratës të vazhdojë të aplikojë për subvencione.

“Rasti i dytë ka të bëjë me subjektin juridik DZS Ilinden…Për shkak të moskryerjes së detyrimeve ligjore nga ana e ministrisë që të zbatojë procedurë fillimisht për fshirje nga regjistri qendror i ekonomisë bujqësore dhe moskoordinim me agjencinë për mbështetje financiare, i është mundësuar qiramarrësit, që edhe pas prishjes së marrëveshjes, përsëri edhe pas prishjes së marrëveshjes për qira, qiramarrësi të mund të vazhdojë të aplikojë për subvencione, gjegjësisht agjencia për mbështetje financiare në bujqësi, për periudhën prej 2021 deri në vitin 2023, gjithsej tre vite, qiramarrësit t’i paguhen mbi 19 milion denarë, subvencione”, u shpreh Cvetan Tripunovski, Ministër i Bujqësisë.

Tripunovski tha se ministria, drejtori i agjencisë por edhe inspektorati duhej të kryenin detyrimet ligjore dhe të kontrollojnë procesin. Ai u bëri thirrje institucioneve të ndërmarrin hapat e nevojshme për të parë nëse dikush me ose pa vetëdije ka lejuar që të manipulohet procesi. /Alsat.mk

Marketing