Ballina Lajme Botë Trump emëroi John Ratcliffe në krye të inteligjencës amerikane

Trump emëroi John Ratcliffe në krye të inteligjencës amerikane

Presidenti Donald Trump ka njoftuar se kongresisti John Ratcliffe është kandidati i tij për të shërbyer si Drejtor i Inteligjencës Kombëtare.

Marketing

Në këtë pozicion për momentin është ambasadori amerikan në Gjermani Richard Grenell, por është vetëm si ushtrues detyre, sepse ai më herët ka deklaruar se nuk është i gatshëm t’a pranojë këtë post.

Presidenti Trump përmes një postimi në Twitter ka deklaruar se është i lumtur të nominojë kongresistin Ratcliffe si Drejtor të Inteligjencës Amerikane.

“Johni është një njeri i jashtëzakonshëm dhe një talent i madh”, shkroi presidenti Trump.

Presidenti Trump e kishte propozuar edhe më parë ligjvënësin Ratcliffe nga Teksasi për këtë post. Por në fillim të muajit gusht të vitit të kaluar ai tërhoqi papritmas emrin e tij mes debateve rreth kualifikimit të zotit Ratcliffe për vendin e punës. Demokratët dhe republikanët e kritikuan atë për mungesë përvoje në këtë fushë.

Nëse konfirmohet nga Senati, zoti Ratcliffe do të zëvendësojë ambasadorin Richard Grenell i cili më 20 shkurt u emërua nga presidenti Trump në krye të Shërbimeve të Zbulimit, ndërsa mban postin e ambasadorit në Gjermani dhe atë të të dërguarit të posaçëm të presidentit për bisedimet e paqes Kosovë – Serbi.

Zyra e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar shërben si mbikëqyrëse e Komunitetit të Shërbimeve të Inteligjencës që përbëhet nga 16 agjenci të ndryshme zbulimi, më e njohura prej të cilave është CIA.

Kjo zyrë u krijua pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, për të bashkërenduar punën e agjencive të zbulimit

Marketing
Exit mobile version