Turqia e ndalon përkohësisht transmetimin e serialit që trajton përçarjen mes segmenteve fetare e sekulare

Autoriteti rregullativ i radios dhe televizionit në Turqi, RTUK, të enjten mori vendim për ndalimin e transmetimit për dy javë të serisë televizive “Kizil Goncalar”, tha një anëtar i bordit, pasi seria u vlerësua se është kundër “vlerave kombëtare e shpirtërore të shoqërisë”.

Marketing

Ilhan Tasci, anëtar bordi në RTUK, duke e përfaqësuar kundërshtimin kryesor, tha në rrjetin X se rregullatori i kishte vënë edhe një gjobë administrative televizionit “Fox TV”, pronë e “Fox Networks Group”, raporton agjencia “Reuters”.

Seria “Kizil Goncalar” e vë në pah përçarjen mes segmenteve fetare e sekulare të shoqërisë. Ajo u prit me reagime pas transmetimit të parë më 18 dhjetor, edhe pse dy episodet e para arritën në majë të listave vlerësuese dhe janë shikuar më shumë se dhjetë milionë herë në “YouTube”.

Producenti i serisë, Faruk Turgut, tha se ajo e pasqyron realitetin sociologjik të Turqisë, duke e paraqitur përplasjen mes segmenteve sekulare e fetare të shoqërisë.

“Unë po mundohem që të mbaj një pasqyrë përballë realiteteve të shoqërisë turke. Realitetet duhet të diskutohen, ne nuk mund të përparojmë duke i shpërfillur ato. Ata na shpallën luftë, por ne do të luftojmë deri në fund”- citohet të ketë thënë ai.

Mediat pro-qeveritare akuzuan se kjo seri është islamofobe, duke e nxitur anulimin e lejeve për vendet e filmimit për episodet e ardhshme.

Marketing