Turqia thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndërhyjë në Lindjen e Mesme

Turqia paralajmëroi se sulmet e Izraelit në Liban rrezikojnë ta shtyjnë Lindjen e Mesme më thellë në “kaos”.

Marketing

Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë 356 persona, përfshirë 24 fëmijë, në Liban më 23 shtator, ka thënë Ministria e Shëndetësisë. Kjo është shifra më e lartë e viktimave që kur Hezbollahu – grupi libanez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – dhe Izraeli kanë nisur këmbimin e zjarrit, pothuajse në baza ditore që kur nisi lufta në Gazë më 7 tetor.

“Sulmet e Izraelit në Liban shënojnë një fazë të re në përpjekjet e tij për ta futur të gjithë rajonin në kaos”, tha Ministrja e Jashtme e Turqisë përmes një deklarate.

Turqia, një kritike e zëshme e ofensivës së Izraelit në Gazë, që u nxit nga sulmi i Hamasit – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërhyjë.

“Është thelbësore që të gjitha institucionet përgjegjëse të ruajë paqen dhe sigurinë, veçmas Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, por edhe komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrin masat e nevojshme pa vonesa”, tha MPJ-ja turke.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, pritet t’i adresohet Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së të martën dhe fjalimi i tij pritet të fokusohet në luftën në Gazë.

Të hënën, gjatë një takimi në Nju Jork Erdogan i tha kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan, se “Izraeli duhet të mbahet përgjegjës për krimet e tij”, u tha në njoftimin e Presidencës turke.

Në maj, Khan kishte kërkuar nga gjykata që të lëshojë fletarrestime për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, lidhur me krimet e supozuara të luftës dhe krimet kundër njerëzimit në Gazë./ rel

Marketing