Twitter rrezikohet nga falimentimi

Pak pas blerjes së Shërbimit të mesazheve të shkurtra Twitter për një shumë prej 44 miliardë dollarësh, miliarderi Elon Musk nuk e përjashton mundësinë e falimentimit të kësaj platforme online.

Marketing

Sipas mediave gjatë një mbledhjeje me punonjësit e Twitter-it Elon Musk paralajmëroi, se vitin e ardhshëm në buxhetin e kësaj firme mund të ketë humbje prej miliarda dollarësh dhe nëse firma nuk fiton më shumë para sesa shpenzon, falimentimi është i pashmangshëm.

Twitter kishte nisur tä shënonte humbje kohët e fundit para marrjes nën kontroll nga Elon Musk. Pas blerjes Musk u ankua për një rënie të të ardhurave, sepse disa kompani të mëdha ulën sasinë e reklamave ose i ndërprenë ato plotësisht. Kompanitë shprehën shqetësimin e tyre se nëse Twitter zbut rregullat e tij për përmbajtjen, sikurse parashikon Elon Musk, reklamat e tyre mund të shfaqen së bashku me lajme të papërshtatshme. Shërbimi i mesazheve të shkurtra ka gjithashtu një hua prej rreth 13 miliardë dollarësh që Elton Musk mori borxh për blerjen e tij.

Gjendje “e keqe”

Në një email të fundit drejtuar punonjësve Musk shkruante sesituata ekonomike është “e keqe”, veçanërisht për një kompani që varet nga të ardhurat prej reklamave. Deri tani këto përbëjnë rreth 90 për qind të të ardhurave të Twitter-it. Për të gjeneruar më shumë të ardhura Twitter do të ofrohet me një model abonimi me shenjën e lakmuar të verfikimit nga ana e Twitter-it.
Kompania sipas Elon Musk ka gjithashtu shumë punonjës. Javën e kaluar ai njoftoi se do të përgjysmojë numrin e vendeve të punës në Twitter, ku aktualisht janë të punësuar 7,500 vetë.

Kaos me shenjën e Twitter-it

Shenjën e lakmuar të verfikimit nga ana e Twitter-it u lejohej ta përdornin deri tani kryesisht personalitet e famshme, politikanë dhe kompani – pasi ishte kryer procesi i duhur i verifikimit. Tani simbolin e verifikimit mund ta blejë kushdo që paguan tetë dollarë në muaj, Musk ka marrë një paralajmërim të fortë nga Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Konsumatorëve FTC. “Ne po i ndjekim me shqetësim të madh zhvillimet e fundit në Twitter,” tha një zëdhënës i FTC. Asnjë kompani apo shef i saj nuk është mbi ligjin.

Disa përdorues e përdorën ofertën e re për të krijuar llogari të rreme duke kopjuar atë të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, yllit të basketbollit LeBron James dhe të kompanisë së lojërave Nintendo.

Pre e lajmeve të rreme nga llogari të tilla u bë edhe kompania farmaceutike Eli Lilly, e cila u kërkoi falje përdoruesve të Twitter-it, të cilët përmes një mesazhi nga një llogari e falsifikuar kishin marrë lajmin se në të ardhmen insulina do të shpërndahej pa pagesë./dw/