Pas 16 muajve në arrati, u arrestua në Palasë, bosi turk i kriptomonedhave që mashtroi duke u vjedhur 2 miliardë dollarë klientëve të kompanisë që 28-vjeçari themeloi në Turqi. Faruk Ozer u kap në Palasë bashkë me nipin e Armand Dukës të FSHF-së, Edevaldo Haxhiu që autoritetet vendase e akuzojnë se e ka ndihmuar të fshihet kundrejt rryshfeti.
I arratisur nga Turqia me 2 miliardë dollarë që ua vodhi punonjësve të kompanisë së tij, themeluesi i Thodex, Faruk Fatih Ozer u arrestua nga policia shqiptare. 28-vjeçari turk u kap në Palasë të Himarës e bashkë me të u arrestua edhe Edevaldo Haxhiu, nipi i presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka që akuzohet se e ndihmonte të shumëkërkuarin që t’i fshihej autoriteteve. Në shoqërinë e tyre –thonë burimet policore – ishte dhe një person i tretë, i arrestuar, shqiptar nga Tirana, Briken Shkëmbi, 36-vjeç.
Bosi i kriptomonedhave fshihej prej 4 muajsh në një banesë me qira në Elbasan, jo në emër të tij të cilën dyshohet se ia kishte siguruar Edevaldo Haxhiu, raporton gazetari i Report Tv Arsen Rusta. Nipi i Dukës është arrestuar edhe më herët në shtator të vitit 2021, kur u vu para drejtësisë për të njëjtën akuzë, por u lirua nga gjykata. Para togave të zeza në atë kohë, nipi i Dukës deklaroi se nuk e njihte turkun e kërkuar, por burimet policore thanë se Haxhiu e ka pritur në aeroportin e Rinasit bosin e kompanisë të kriptovalutave Thodex. Në fillim, nipi i Dukës u arrestua në kuadër të operacionit “Gjurma” dhe u akuzua për përkrahjen e turkut të arratisur. Edhe pse u la i lirë, burimet thonë se autoritetet kanë arritur që përmes përgjimeve të zbulojnë vendodhjen e bosit turk.
Faruk Ozer i arratisur prej muajit prill të vitit 2021 akuzohet në Turqi se në bashkëpunim me persona të tjerë ngriti një skemë mashtrimi nëpërmjet krijimit dhe shitjes së monedhave virtuale përmes kompanisë që vetë ai themeloi duke mashtruar rreth 400 mijë persona që investuan në platformën e tij, tashmë të mbyllur.
Në Shqipëri u publikuan edhe foto të turkut të shumëkërkuar teksa kishte hyrë në një hotel të njohur në kryeqytet, por policia mundi të bie në gjurmët e tij vetëm këtë të martë. Mediat turke kanë bërë raportime të vazhdueshme ku ndër të tjerë kanë shkruar se dollarët që grumbulloi nga viktimat e Thodex, turku ia ka lënë mafies shqiptare për ta mbrojtur dhe për ta fshehur në arrati.
Autoritetet atje i bllokuan llogaritë bankare të kompanisë THodex ku iu gjetën 16 milionë lira. Sipas mediave turke, në momentin që është arratisur nga vendi, Faruk Ozer kishte me vete një server ku mbahen 108 milion dollar në formë kriptomonedhash. Në Turqi janë arrestuar disa bashkëpunëtorë të 28-vjeçarit me akuzën e mashtrimit.