U hap toka dhe “përpiu” shtëpitë në Norvegji, gjenden trupa të tjerë

Katër trupa të pajetë u gjetën gjatë kërkimeve për personat e zhdukur pas rrëshqitjes masive të tokës në Norvegji, e cila shkatërroi dhjetëra shtëpi.

Marketing

Viktima e parë e zbuluar u identifikua si Eirik Grønolen, 31 vjeç. Nuk ka asnjë gjurmë nga 6 persona të tjerë pas shembjes së faqes së kodrës, e cila bëri që një lum balte të mbulonte fshatin e vogël Ask të mërkurën. Ekipet e shpëtimit po punojnë pa reshtur në mes të acarit, me shpresën se ende mund të gjejnë ndonjë të mbijetuar.

Shefja e policisë, Ida Melbo Øystese tha në një konferencë për shtyp se ndonëse as natyra, dhe as koha nuk është në anën e tyre, mundësia që të ketë ende njerëz të gjallë nuk është fashitur, dhe ata nuk do t’i reshtin kërkimet. Shpresat sipas saj janë që brenda disa ndërtesave të mbuluara nga balta të jenë krijuar xhepa ajri, të cilat të lejojnë mbijetesën për disa ditë. Banorët janë të shokuar nga ngjarja.

“Është një tragjedi. Ne jetojmë aty afër dhe jemi të dërrmuar emocionalisht. Kur flitet për fqinjët, ndjesitë janë njësoj. Na vjen tmerrësisht keq për personat e prekur nga kjo fatkeqësi”, shprehet Jan Marcin Buslowicz, banor i zonës.

Pamjet filmike dhe fotot nga vendi i ngjarjes tregojnë një krater gjigant të krijuar pas rrëshqitjes masive të tokës. Banorët e Ask kishin telefonuar shërbimet e emergjencës duke i thënë se shtëpitë po i lëviznin nga vendi. Më shumë se 30 banesa u shkatërruan e disa të tjera kanë mbetur në buzë të kraterit, gati për t’u shembur edhe ato. Mes të zhdukurve është edhe një çift dhe fëmija i tyre i vogël.

Marketing