U ngjitën në mal pa pajisje dhe me fëmijë, më pas kërkuan ndihmë me helikopter
Shërbimi malor i shpëtimit në Austri realizoi një operacion të ndërlikuar për shpëtimin e 36 personave nga tri familje, mes tyre edhe fëmijë të vegjël, pasi grupi ishte ngjitur në një zonë malore pa pajisje të përshtatshme.
Sipas policisë së Tirolit, grupi ishte gjendur në vështirësi në një lartësi mbi 2.300 metra, pasi ishte nisur për një ecje spontane nga zona e Wildspitzbahn, në afërsi të Söldenit.
Në mesin e alpinistëve kishte të rritur, adoleshentë dhe disa fëmijë të vegjël në karroca. Policia bëri të ditur se grupi praktikisht nuk kishte pajisje adekuate për kushtet dhe terrenin malor.
Gjatë ecjes, familjet disa herë ishin futur në zona të vështira dhe të rrezikshme, ndërsa në raste të caktuara kishin devijuar edhe nga shtegu i shënuar. Në fund, dy anëtarë të grupit kërkuan ndihmë përmes numrit të emergjencës.
Në operacion u angazhuan dy helikopterë shpëtimi, të cilët evakuuan 14 persona. Katër prej tyre u nxorën me ndihmën e vinçit të helikopterit, ndërsa 22 persona të tjerë u shoqëruan në këmbë deri në luginë nga ekipet e shpëtimit malor.
Anëtarët e grupit ishin shtetas të Belgjikës, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Austrisë.
Fatmirësisht, askush nuk u lëndua gjatë incidentit.
Megjithatë, sipas policisë, personat e shpëtuar pritet të përballen me një faturë të konsiderueshme, pasi shpenzimet e operacionit të shpëtimit do t’u ngarkohen atyre. / Aktuale.mk
