U nis nga Kroacia për në Gjermani,gjenden copat e avionit,s’ka asnjë të mbijetuar

Avioni i vogël privat, i cili u zhduk dje pasi u nis nga Kroacia në drejtim të Gjermanisë, është rrëzuar. Këtë fakt e kanë bërë të ditur autoritetet kroate, të cilat kanë njoftuar se sot janë gjetur rrënojat e një avioni të vogël që kishte dalë nga radari dhe se të katër personat në bord ishin të vdekur.

Marketing

Ekipet e kërkimit gjetën avionin Cessna 182 pranë Brocanac, Kroacia qendrore, tha kreu i ekipeve të mbrojtjes civile, Damir Trut. Ai tha se policia ka nisur hetimet për aksidentin.

“Sapo avioni u pikas nga lart (me dron), ekipet e kërkimit shkuan në vendngjarje,”-tha Trut. “Fatkeqësisht, është konfirmuar se të gjithë pasagjerët kanë vdekur”,-shtoi ai.

Trut nuk zbuloi kombësinë e viktimave të aksidentit, por televizioni shtetëror HRT tha se mes tyre ishte një shtetas zviceran, dy gjermanë dhe një shtetas kroat.

Avioni u zhduk të dielën pasi u ngrit nga porti i Splitit në Detin Adriatik drejt Gjermanisë. Mediat lokale raportuan se moti ishte i keq dhe se piloti dërgoi një apel për ndihmë përpara se të rrëzohej.