SHBA-ja shprehu sot shqetësimin e thellë përsa i përket përshkallëzimit të dhunës në Jeruzalem, duke dënuar gjuhën e urrejtjes.
“Ne kërkojmë qetësi dhe bashkim dhe u kërkojmë autoriteteve të garantojnë sigurinë dhe të drejtat e të gjithëve në Jeruzalem”, theksoi në një mesazh në Twitter zëdhënësi i diplomacisë amerikane, Ned Price, raporton ATSh.
“Gjuha e manifestuesve ekstremistë që brohorasin slogane të dhunshme të urrejtjes duhet të hidhen poshtë”, nënvizoi ai.
Përleshjet shpërthyen në Jeruzalem dje në mbrëmje, ku forca të mëdha policie u vendosën në periferi të Qytetit të Vjetër pas përplasjeve të dhunshme një ditë më parë përfshirë hebrenjtë e ekstremit të djathtë, palestinezët dhe forcat e policisë shkaktuan më shumë se 120 të plagosur.