Universiteti i Tetovës edhe këtë vit iu bashkua aksionit për dhurimin e gjakut, që organizohet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup.
Ky aktivitet bamirës ka për qëllim shënimin e Ditës Kombëtare të Shërbimit në SHBA dhe daton nga viti 2002, si vështrim pozitiv drejt së ardhmes, që përmes shërbimeve bamirëse të nderohen viktimat, të mbijetuarit dhe të gjithë ata që ofruan ndihmë lidhur me sulmet e 11 shtatorit të vitit 2001.
Këtë vit nga Universiteti i Tetovës aksionit për dhurimin e gjakut iu bashkëngjitën, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti bashkë me kryetarin e Parlamentit Studentor, Islam Imeri, dekanë, profesorë dhe studentë.
Pas dhurimit të gjakut, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti realizoi një takim miqësor me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shkup, znj. Kate Marie Byrnes, të cilës njëherit edhe i bëri ftesë që në të ardhmen ta vizitojë Universitetin e Tetovës.