Varhejli: Shkupi dhe Tirana duhet të fillojnë negociata para majit

Kandidati për komisar për zgjerim dhe politikë fqinjësore, hungarezi Oliver Varhelji, dy orë e gjysmë u dëgjua dhe vlerësua nga eurodeputetët për aftësinë e tij për ta kryer këtë funksion në pesë vitet e ardhshme.

Marketing

Në fjalën e tij hyrëse, Varhelji theksoi se ambicia e tij është të arrijë t’i bindë vendet anëtare se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria t’i fillojnë negociatat për anëtarësim me BE-në para Samitit BE-Ballkan perëndimor në Zagreb, të caktuar për në maj.

Varhelji theksoi se tre vende anëtare e frenojnë procesin, e ato janë Franca, Holanda dhe Danimarka. Ai qëndroi pas perspektivës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë dhe shfaqi shpresë se, nëse konfirmohet nga Parlamenti evropian, deri në fund të mandatit të tij pesëvjeçar Shkupi dhe Tirana do të jenë të kyçura tashë thellë në negociatat me BE-në.

Specifike për Maqedoninë e Veriut, hungarezi përkujtoi se liderët evropianë masovikisht e vizitonin Shkupin para referendumit për Marrëveshjen me Greqinë dhe i premtuan vendit se nëse referendumi do të ketë sukses, negociatat do të hapen.

“Ajo që është në pyetje këtu është kredibiliteti i BE-së në rajon dhe më gjerë”, deklaroi Oliver Varhelji.
Kandidati për trashëgues të Johanes Hanit konfirmoi se për të, gjithashtu, zgjerimi dhe thellimi i Bashkimit Evropian janë procese të cilat mund të shkojnë paralelisht.
“Duhet t’i hapim negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, kjo do të thotë se duhet të qëndrojmë qartë prapa parimit të anëtarësimit dhe prapa parimit të meritës individuale njëkohësisht”, tha Varhelji duke u përgjigjur në pyetjet e deputetëve.

I pyetur për mundësinë të ndahen dy vendet, ai nuk e përjashtoi këtë opsion.
“Asnjë proces inkuadrues nuk mund të jetë kredibil pa parimin e meritës vetanake. duhet t’i përmbahemi kësaj, ndoshta do të vijmë në pikën kritike ku, një, dy apo tre vende i përmbushin kriteret. Nuk kam paragjykime lidhur me atë, nëse është një, është një, nëse janë dy – dy, tre – tre, por nuk guxojmë ta pengojmë askë në sukses, nëse tregojnë angazhim, edhe ne duhet të tregohemi, kështu që është e mundur të braktiset parimi i pakos, por nuk e përjashtoj mundësinë për pako”, deklaroi Varhelji.

Kandidati insistoi në këtë pjesë dhe rëndësinë të kihet parasysh elementi gjeopolitik në raport me rajonin sepse “Ballkani është rajon mjaft i ndjeshëm dhe puna jonë është të krijojmë prosperitet afatgjatë”, shtoi hungarezi.
Ai shtoi se i merr parasysh edhe preokupimet e vendeve anëtare të cilat janë të rezervuara lidhur me zgjerimin.
“Duhet të punojmë lidhur me atë shqetësim kur kryesisht është i lidhur me kërkesat e rrejshme për azil, korrupsion dhe tema të tjera lidhur sundimin e së drejtës, do të punojmë së bashku me partnerët tanë në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri që ta zbusim atë shqetësim dhe t’u ndihmojmë vendeve t’i përmbushin kriteret”, tha varhelji duke shtuar se Ky Komision evropian në mënyrë të qartë i përmbahet parimit se vendet nga rajoni kanë perspektivë evropiane.

Nuk munguan pyetjet për azilin e ish-kryeministrit të dënuar, Nikolla Gruevski, të miratuar nga Qeveria hungareze, por Varhelji në mënyrë shumë të shpejtë u distancua nga ai vendim, duke cekur se sipas rregullave në BE, vendimet për azil janë kryesisht nën kompetenca të vendeve anëtare, dhe se ai si komisar i ardhshëm nuk do të pranojë instruksione nga asnjë vend anëtar.

Megjithatë, Varhelji, me kërkesë të eurodeputetëve për garanca se do të jetë i pavarur nga Viktor Orbani, nuk arriti në mënyrë eksplicite t’i dënojë deklaratat e kryeministrit, i cili e nominoi.

I pyetur disa herë nga deputetët se grupit socialdemokratik dhe të gjelbërve nëse distancohet nga deklarata e Orbanit se Hungaria nëse e merr resorin e zgjerimit do ta ndihmojë Turqinë, Varhelji nuk formuloi dënim eksplicit këtë mëngjes.
Koordinuesit e grupeve parlamentare gjatë ditës së sotme do të duhet të arrijnë marrëveshje për kandidaturën e Oliver Varheljit, vendimi pritet gjatë ditës. .

Marketing