Vatnikaj thirrje për mobilizim: Nesër të gjithë para Gjykatës për 14 të arrestuarit!
Aktivistja Sidorela Vatnikaj ka bërë thirrje për një tjetër grumbullim, këtë herë para Gjykatës Penale, ku më 4 shtator pritet të zhvillohet seanca për masën e sigurisë ndaj protestuesve të arrestuar pas tensioneve para Kryeministrisë.
Duke folur gjatë protestës së 3 shtatorit, Vatnikaj deklaroi se arrestimet nuk do ta ndalin aksionin dhe kërkoi pjesëmarrjen e qytetarëve në seancën e së premtes.
“Intimidimi i tyre nuk na frikëson, por na bashkon dhe na forcon qëndresën dhe na bën që të vijmë sërish këtu, për t’ju thënë ‘arrestoni Ramën’”, deklaroi Vatnikaj.
Sipas saj, protesta kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të kabinetit qeveritar.
“Ky shesh parmbrëmë e ka marrë vendimin e vet. Përballë Ramës dhe Besës apo Pasqyrës së tij, ne kemi zgjedhur njëri-tjetrin dhe kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të tij dhe kabinetit të Ramës”, tha aktivistja.
Vatnikaj bëri të ditur se 14 protestuesit që po mbahen të arrestuar do të paraqiten në orën 10:00 para Gjykatës Penale, ndërsa u kërkoi qytetarëve të mblidhen jashtë godinës gjatë zhvillimit të seancës.
“Të 14 protestuesit që po mbahen do të dalin nesër para Gjykatës Penale që ndodhet ngjitur me SPAK, në orën 10:00. Është i ftuar të bashkohet çdo qytetar nesër në orën 10:00 para Gjykatës Penale”, deklaroi Vatnikaj.
Burimi: botasot.info / Aktuale.mk
