Vdekja e Sazdovskit, të akuzuarit deklarohen të pafajshëm

Dy të akuzuarit, Besim Bela dhe Skender Demiri, para trupit gjykues në Gjykatën Penale deklaruan se nuk ndjehen fajtorë për vrasjen e tifozin e Komitëve, Nikolla Sazdovski.

Marketing

Prokurori publik, Angel Fidovski, tha se do të dëshmojë që dy të akuzuarit së bashku me të akuzuarin e tretë që është në arrati, me vetëdije ia kanë marrë jetën Sazdovskit më 29 qershor 2018 në stacionin e autobusit tek “Alkaloid”.

Sipas akuzës, të akuzuarit viktimës i kanë kërkuar letërnjoftimin dhe më pas kanë filluar ta rrahin,pas çka Sazdovski ka rënë në trotuar, prej ku kanë vazhduar rrahjet me pasojë vdekjen. Pas kësaj, Sazdovski është shtruar në klinikë, ndërsa më 9 korrik ka vdekur.

Prokurori publik theksoi se do të flasin dëshmitarë dhe ekspertë nga mjekësia ligjore që kanë kryer obduksion mbi trupin e Sazdovskit.

Në fjalët hyrëse të palës mbrojtëse në këtë rast, avokatët, Naser Raufi dhe Asmir Alispahiç, u shprehën se të akuzuarit nuk kanë pasur për qëllim të vrasë Sazdovskin dhe se e vetmja arsye për çka ka pasuar vdekja është për shkak të lëndimit të marrë në kutinë e metalit të EVN-së, e cila gjendet në stacionin e autobusit.

Avokatët thanë se do të dëshmojnë që kualifikimi i veprës është i gabuar dhe se këtu bëhet fjalë për dhunë dhe jo vrasje.

“Qëllimi i këtyre të akuzave nuk ka qenë t’ia marrin jetën, por ta rrahin, këtë e deklaroi edhe dëshmitarja. Pra, nuk mund të bëhet fjalë për veprën penale vrasje nga neni 123 alinea 2 në asnjë mënyrë, pasi që në këtë rast nuk ka pasur vetëdije direkte apo eventuale por bëhet fjalë për veprën penale dhunë”,- tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.

“Për gjithë kohën prokuroria procesonte rastin për veprën penale “dhunë”, për të vazhduar më pas me kualifikim më të rëndë të veprës për shkak të shtypjes nga opinioni”,- theksoi avokati mbrojtës, Asmir Alispahiq.

Avokati i palës së dëmtuar, Vanço Shehtanski, tha se janë të kënaqur nga dëshmia e vajzës e cila ka qenë në vendngjarje atë ditë.

“Jemi të kënaqur nga dëshmia e dëshmitarit të sotëm dhe me këtë i demantojmë deklarimet e mbrojtjes se vdekja ka ardhur si pasojë e lëndimit me hekur që gjendet në stacionin e autobusëve dhe jo nga lëndimet e sulmuesve. Me këtë u demantua edhe deklarimi se sulmi ka zgjatur një minutë”,- tha avokati i palës së dëmtuar, Vanço Shehtanski.

Procedura e dëshmive ka filluar me dëshminë e Toni Sazdovskit, babait të të vrarit, Nikolla Sazdovskit, i cili tha se i bashkëngjitet ndjekjes penale. Gjykimi vazhdon më 20 nëntor.

Marketing