Vdiq Subrata Roj, biznesmeni indian, të cilin Gruevski e solli në Maqedoni si investitor të madh

Subrata Roj, biznesmeni kontrovers indian të cilin qeveria e VMRO-DPMNE-së e udhëhequr nga Nikolla Gruevski e solli në Maqedoni si investitor të madh, vdiq në moshën 75-vjeçare pas një sëmundje të gjatë. Ai u shtrua në spital të dielën pasi gjendja e tij u përkeqësua për shkak të problemeve të shumta shëndetësore, raportoi Hindustan Times, transmeton Portalb.mk.

Marketing

I lindur në vitin 1948, Subrata Roj ndërtoi një perandori të madhe biznesi që përfshin sektorë të ndryshëm si financa, pasuritë e paluajtshme, media dhe hoteleri. Ngritja e biznesit të tij filloi me marrjen e Sahara Finance në mesin e viteve 1970, të cilën ai më pas e transformoi në konglomeratin më të madh të Indisë, Sahara Group.

Në vitin 2014, Gjykata e Lartë e Indisë urdhëroi ndalimin e Subrata Roj për një mosmarrëveshje me Bordin e Letrave me Vlerë dhe Shkëmbim të Indisë, duke çuar në një betejë të gjatë gjyqësore që përfundoi me atë në burg.

Subrata Roj u shfaq në Maqedoni në gjysmën e parë të viteve 2010, gjatë së cilës u lidh me ndërtimin e një kompleksi të madh turistik në Lubanishtë dhe me blerjen e agrokombinatit “Xhumajlia”, ndërsa si përkujtim për të mbeti monumenti i papërfunduar i Nënë Terezës në sheshin Maqedonia në Shkup, të cilin qeveria e VMRO-DPMNE-së e prezantoi si donacion i tij.