Ballina Lajme Maqedoni Vëllezërit shqiptarë me prejardhje nga Shkupi vazhdojnë zanatin familjar në Turqi

Vëllezërit shqiptarë me prejardhje nga Shkupi vazhdojnë zanatin familjar në Turqi

Tre vëllezërit që jetojnë në İnegöl të Bursës vazhdojnë zanatin e tyre familjar të këpucarisë së punuar me dorë në të njëjtin dyqan, të cilin paraardhësit e tyre e punonin nga koha e ish-Jugosllavisë.

Marketing

Vëllezërit Recai, Sezai dhe Hakan Ileri duke vazhduar profesionin e tyre, të cilin e trashëguan nga vëllai i gjyshit të tyre Enver Ileri te babai i tyre Celal Ileri, i cili prodhonte opinga, sandale dhe meste, përveç Bursës ato shesin me shumicë edhe në qytetet përreth si Eskişehir, Kütahya, Bilecik dhe në Afyonkarahisar.

Duke treguar për Anadolu Agency (AA) historinë e këpucarisë së familjes së tij me prejardhje shqiptare, Hakan İleri tha se gjyshi i tij Zumber İleri në vitin 1955 me vëllezërit e tij Sefer dhe Enver İleri emigroi në İnegöl nga Shkupi i Maqedonisë së Veriut i cili në atë kohë ishte në kuadër të Jugosllavisë.

Ai tha se gjyshi i tij dhe Sefer İleri filloi të merrej me mbjelljen e fidaneve kur erdhën në Turqi ndërsa vëllai tjetër i tij vazhdoi të merrej me këpucari.

“Për shkak se babait asokohe nuk i pëlqente puna e fidanishtes e gjyshërve të mi, ai hyri në fabrikën e këpucëve para se të fillonte shkollën dhe punoi me dajën e tij deri në ditën kur u regjistrua në ushtri. Pas ushtrisë krijoi punishten e tij. Pasi e punoi këtë punë për 58 vjet, babai im ndërroi jetë vitin e kaluar ndërsa gjyshi me vëllai i tij vitet e kaluara. Vëllai i tij më i vogël, Enver Ileri, i cili ia mësoi babait tim zanatin, është 79-vjeç, ka një punëtori në Inegöl dhe bën këpucë me porosi”, tha Hakan İleri.

Ai thotë se vazhdojnë prodhimin e këpucëve me vëllezërit e tyre, por nuk kanë gjetur materiale cilësore të përdorura 20-30 vite më parë.

İleri tha se prodhojnë këpucë origjinale tërësisht prej lëkure, me punë dore. “Nuk mendoj se brezi i ardhshëm, pra askush nuk do të hyjë në këtë biznes. Sepse ne kemi filluar të vuajmë çdo ditë nga probleme të ndryshme. Për shembull, grupi i profesioneve që ne e quajmë ‘zanatçi’, pra rrobaqepësi i këpucëve, është në Inegöl. Ne kemi vetëm një mjeshtër në Inegöl dhe një në Bursa. Edhe ata janë 50-55 vjeç. Ata kanë problem për çirak dhe ndihmës mjeshtër, ashtu si ne”, tha ai.

Nuk ka çirakë të rinj

Vëllai i mesëm, Sezai İleri tha se këpucarinë e ka nisur që në klasën e parë të shkollës fillore për shkak të profesionit të të atit.

Duke theksuar se familja e tij, e cila emigroi në Turqi pas Luftës së Dytë Botërore, u përpoq ta çonte profesionin e tyre në të ardhmen, İleri tha: “Babai im na mësoi këpucarinë. Shyqyr Zotit, ai na mësoi një profesion”.

Ai tha se ata kishin mësuar përmes çirakllëkut. “Para së gjithash, ky është territori ynë. Ne furnizojmë produkte në qytete të tilla si Bursa, Eskişehir, Kütahya, Bilecik, Afyonkarahisar. Kemi dërguar edhe në Stamboll, jashtë vendit, në vende si Izraeli, Palestina dhe Iraku. Ne nuk kemi eksportuar këtë vit. Shpresojmë se do të punojmë për vitin e ardhshëm”, theksoi Sezai İleri.

“Tashmë nuk vijnë çirakë të rinj”, tha ai duke shtuar se duan të vijnë të rinjtë që ta mësojnë esnafllëkun nga ata.

Marketing
Exit mobile version