Vendi ku ka 30 vite që punëtorëve nuk u është rritur rroga

Hideya Tokiyoshi e filloi karrierën e tij si mësues i anglishtes në Tokio të Japonisë rreth 30 vjet më parë.

Marketing

Që atëherë, paga e tij ka mbetur pothuajse e njëjtë. Kjo është arsyeja pse, tre vjet më parë, pasi hoqi dorë nga shpresat për pagë më të lartë, mësuesi vendosi të fillonte të shkruante libra.

“Ndihem me fat, pasi shkrimi dhe shitja e librave më japin një fluks shtesë të ardhurash. Nëse nuk do ta bëja këtë do të kisha qëndruar i mbërthyer në të njëjtën rrogë”, tha Tokiyoshi, tani 54 vjeç, për CNN.

“Kjo është arsyeja pse unë arrita të mbijetoja”.

Tokiyoshi është pjesë e një brezi punëtorësh në Japoni, të cilët mezi kanë marrë një rritje page gjatë gjithë jetës së tyre të punës. Tani, ndërsa çmimet rriten pas dekadave të deflacionit, ekonomia e tretë më e madhe në botë po detyrohet të llogarisë me problemin kryesor të rënies së standardeve të jetesës dhe kompanitë po përballen me presion të fortë politik për të paguar më shumë.

Kryeministri japonez Fumio Kishida po iu kërkon bizneseve që të ndihmojnë punëtorët të përballojnë kostot më të larta të jetesës. Muajin e kaluar, ai u bëri thirrje kompanive që të rrisin pagën në një nivel mbi inflacionin, me disa që tashmë e kanë dëgjuar thirrjen, raporton CNN.

Ashtu sikurse në pjesët e tjera të botës, inflacioni në Japoni është bërë një ‘dhimbje koke’ e madhe. Në vitin deri në dhjetor, çmimet bazë të konsumit u rritën me 4 për qind. Kjo është ende e ulët në krahasim me Amerikën ose Evropën, por përfaqëson një nivel më të lartë 41-vjeçar për Japoninë, ku njerëzit janë mësuar më shumë që çmimet të zbresin.

“Në një vend ku nuk keni pasur rritje të pagave nominale mbi 30 vjet, pagat reale po bien mjaft shpejt si rezultat i [inflacionit]”, tha për CNN Stefan Angrick, një ekonomist i lartë me bazë në Tokio në Moody’s Analytics.

Muajin e kaluar, Japonia regjistroi rënien e saj më të madhe në të ardhura, pasi të merret parasysh inflacioni, në gati një dekadë.

Një problem i kahershëm

Në vitin 2021, paga mesatare vjetore në Japoni ishte 39,711 dollarë, krahasuar me 37,866 dollarë në vitin 1991, sipas të dhënave nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Kjo do të thotë që punëtorët morën një rritje page prej më pak se 5 për qind, krahasuar me një rritje prej 34 për qind në ekonomitë e tjera të Grupit të Shtatë, sikurse Franca dhe Gjermania, gjatë së njëjtës periudhë.

Ekspertët kanë vënë në dukje një sërë arsyesh për stagnimin e pagave. Së pari, Japonia është përballur prej kohësh me të kundërtën e asaj që po përballet tani: çmimet e ulëta. Deflacioni filloi në mesin e viteve 1990, për shkak të valutës yen të fortë – që uli koston e importeve – dhe shpërthimit të një flluske të aktiveve vendase.

“Për 20 vjetët e fundit, në thelb, nuk ka pasur asnjë ndryshim në inflacionin e çmimeve të konsumit”, tha Müge Adalet McGowan, ekonomiste e lartë për zyrën japoneze në OECD.

Deri më tani, konsumatorët nuk do të kishin marrë një goditje në portofolin e tyre ose nuk do të kishin ndjerë nevojën për të kërkuar paga më të mira, shtoi ajo.

Por derisa inflacioni rritet, njerëzit ka gjasa të fillojnë të bëjnë ankesa “të forta” për mungesën e ngritjeve, parashikoi Shintaro Yamaguchi, një profesor i ekonomisë në Universitetin e Tokios.

Një treg pune në ndryshim

Ekspertët thonë se pagat e Japonisë kanë stagnuar gjithashtu për shkak se mbetet në një tjetër metrikë: normën e saj të produktivitetit.

Prodhimi në vend, i matur nga sa punëtorë i shtojnë Prodhimit të Brendshëm Bruto të një vendi në orë, është më i ulët se mesatarja e OECD-s dhe “ndoshta arsyeja më e madhe” për pagat e sheshta, sipas Yamaguchi-t.

“Në përgjithësi, pagat dhe rritja e produktivitetit shkojnë krah për krah së bashku”, tha McGowan. “Kur ka rritje të produktivitetit, firmat performojnë më mirë dhe [kur] bëjnë më mirë, ato mund të ofrojnë paga më të larta”.

Ajo tha se popullsia e vjetër e Japonisë ishte një çështje shtesë, sepse një forcë punëtore më e vjetër tenton të barazohet me produktivitet të vogël dhe paga më të ulëta. Mënyra se si njerëzit punojnë gjithashtu po ndryshon.

Në vitin 2021, gati 40 për qind e fuqisë punëtore totale të Japonisë ishte e punësuar me kohë të pjesshme ose punonte me orë të parregullta, nga afërsisht 20 për qind në vitin 1990, sipas McGowan.

“Meqë përqindja e këtyre punëtorëve jo të rregullt është rritur, sigurisht që edhe pagat mesatare mbeten të ulëta, sepse ato bëjnë më pak”, u shpreh ajo.

Punësimi ‘gjatë gjithë jetës’

Sipas ekonomistëve, kultura unike e punës e Japonisë po ndikon në stagnimin e pagave.

Shumë njerëz punojnë në sistemin tradicional të “punësimit gjatë gjithë jetës”, ku kompanitë bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për t’i mbajtur punëtorët në listën e pagave për gjithë jetën, tha Angrick.

Kjo do të thotë se ata shpesh janë shumë të kujdesshëm në lidhje me rritjen e pagave në kohë të mira, në mënyrë që të kenë mjetet për të mbrojtur punëtorët e tyre kur kohët janë të vështira.

“Ata nuk duan të pushojnë njerëzit nga puna. Pra, ata duhet ta kenë atë mburojë në mënyrë që të jenë në gjendje t’i mbajnë në listën e pagave kur godet një krizë”, tha ai.

Sistemi i pagave në vend i bazuar në vjetërsinë, ku punëtorët paguhen në bazë të gradës dhe kohëzgjatjes së shërbimit dhe jo performancës, ul stimujt për njerëzit për të ndryshuar punë, gjë që në vendet e tjera përgjithësisht ndihmon në rritjen e pagave, sipas McGowan.

“Çështja më e madhe në tregun e punës të Japonisë është këmbëngulja për pagën sipas vjetërsisë”, tha për CNN Jesper Koll, një strateg dhe investitor i shquar japonez. “Nëse do të prezantohej paga e vërtetë e bazuar në merita, do të kishte shumë më tepër ndërrime pune dhe rritje të karrierës”.

Presion mbi bizneset

Muajin e kaluar, Kishida paralajmëroi se ekonomia ishte në rrezik, duke thënë se Japonia rrezikonte të binte në stagflacion nëse rritja e pagave vazhdonte të binte pas rritjes së çmimeve. Termi i referohet një periudhe të inflacionit të lartë dhe rritjes ekonomike stagnuese.

Rritja e pagave me 3 për qind ose më shumë në vit ishte tashmë një objektiv thelbësor i administratës së Kishidës. Tani, kryeministri dëshiron të bëjë një hap tjetër më tej, me planet për të krijuar një sistem më të formalizuar.

I pyetur për detaje, një zëdhënës i qeverisë tha për CNN se “masat e reja gjithëpërfshirëse ekonomike do të përfshijnë mbështetje të zgjeruar për rritjen e pagave, të integruara me një përmirësim të produktivitetit”.

Autoritetet planifikojnë të nxjerrin udhëzime për kompanitë deri në qershor, tha një përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies.

Ndërkohë, grupi më i madh i punës në vend, Konfederata e Sindikatave Japoneze ose Rengo, tani po kërkon rritje pagash prej 5 për qind në bisedimet e këtij viti me drejtuesit e kompanive të ndryshme. Negociatat vjetore fillojnë këtë muaj.

Në një deklaratë, Rengo tha se po bënte shtytje sepse punëtorët po merrnin “paga inferiore në shkallë globale” dhe kishin nevojë për ndihmë me rritjen e çmimeve.

Disa kompani kanë reaguar tashmë. Fast Retailing (FRCOF), kompania pas Uniqlo-s dhe Theory, njoftoi muajin e kaluar se do të rriste pagat në Japoni deri në 40 për qind, duke pranuar se kompensimi kishte “mbetur i ulët” në vend viteve të fundit.

Ndërsa inflacioni ishte një faktor, kompania donte të përputhej “me standardet globale, për të qenë në gjendje të rriste konkurrencën tonë”, tha një zëdhënës i Fast Retailing për CNN.

Sipas një sondazhi të Reuters të publikuar muajin e kaluar, më shumë se gjysma e firmave të mëdha të vendit po planifikojnë të rrisin pagat këtë vit.

Suntory, një nga prodhuesit më të mëdhenj të pijeve në Japoni, mund të jetë njëra prej tyre.

CEO Takeshi Niinami po peshon një rritje prej 6 për qind për fuqinë e saj punëtore japoneze prej rreth 7,000 njerëz, sipas një zëdhënësi, duke shtuar se ishte subjekt i negociatave me një sindikatë.

Lajmi mund të nxisë bizneset e tjera të ndjekin shembullin.

“Nëse disa nga kompanitë më të mëdha në Japoni rrisin pagat, shumë firma të tjera do të veprojnë njëjtë”, qoftë vetëm për të qëndruar konkurrues, tha Yamaguchi. “Shumë firma shikojnë se çfarë bëjnë firmat e tjera”.