Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka promovuar sot librin “Demografia e Kosovës”, nga autori Hivzi Islami. Shtypi i kësaj vepre shkencore u financua nga filantropi Lazim Destani.
Ky libër është vlerësuar lart nga akademikët, ndërsa është cilësuar si punë kolosale e autorit në zbardhjen, evidentimin, analizën, interpretimin dhe prezantimin e rezultateve në lidhje me gjendjen, trendët e faktorët që nxisin ndryshimet demografike të popullsisë.
Anëtarja e ASHAK-ut, Justina Shiroka-Pula, tha se autori Hivzi Islami në librin “Demografia e Kosovës – Evolucioni i popullsisë, migrimet, gjeopolitikat ekspacioniste serbe dhe spastrimet etnike të shqiptarëve”, me qasje shkencore, moderne dhe profesionale të bazuara në burimet relevante të kohës dhe fushës, ka sjellë risi në fushën e demografisë, ndërsa falënderoi filantropin Lazim Destani për financimin e këtij botimi.
“Akademik Islami me profesionalizmin e tij teorik, shkencor dhe përvojën praktike në këtë fushë ka bërë një punë kolosale në zbardhjen, evidentimin, analizën, interpretimin dhe prezantimin e rezultateve në lidhje me gjendjen , trendët, faktorët që nxisin ato dhe perspektiven e rrjedhës së këtyre proceseve. Prandaj, edhe në këtë libër ai sjell risi. Njëkohësisht dëshiroj të falënderoj filantropin Lazim Destanin nga Tetova, i cili financoi librin ‘Demografia e Kosovës’”, tha Shiroka-Pula.
Po ashtu edhe akademiku Anton Berisha tha se autori ka bërë një punë të madhe në fushën e demografisë.
“Autori i librit, Hivzi Islami, ka bërë një punë të madhe në zbardhjen, evidentimin, analizën, interpretimin dhe prezantimin e rrjedhave demografike, që lidhen me gjendjen, trendët, ndryshimet, faktorët që i nxisin ato dhe perspektiven e rrjedhjes së këtyre proceseve në Kosovë”, tha Berisha.
Berisha po ashtu tha se në këtë libër autori me një aparaturë shkencore, moderne, qasje profesionale e të bazuar në burime më relevante të kohës dhe fushës përthekon komponentët substancialë të rrjedhave demografike të vendit.
“Libri del të jetë aq i kompletuar, saqë e bën të dobishëm jo vetëm për studiuesit, por edhe shumë të dobishëm në kompletimin e njohjeve që lidhen me historikun e lëvizjes së popullsisë dhe gjendjen aktuale”.
Librin e vlerësoi lart edhe kreu i LDK-së dhe akademiku Isa Mustafa, i cili ishte i pranishëm në këtë provim.
“E kam vlerësuar lart përmbajtjen, bazueshmërinë shkencore dhe historike, metodologjinë e përdorur dhe kronologjinë e konkludimeve të këtij botimi. Botimi ‘Demografia e Kosovës’ prezanton aspekte shumëdimensionale të studimit të popullsisë, ndërlidhur me ekonominë dhe zhvillimin, duke trajtuar këtë edhe në rrafshin botëror, nga aspekti i qasjes së OKB-së, por edhe nga aspekti i tranzicionit demografik në Evropë’, tha Mustafa.
Në fund, Pranvera Kasami, në emër të filantropit Lazim Destani, i solli vlerësimet më të larta të filantropit në lidhje me këtë vepër.
“Më lejoni që shkurtimisht t’ju drejtohem dhe t’jua sjell të falat e përzemërta nga z. Lazim Destani, i cili përkundër dëshirës nuk e kishte mundësinë të jetë sot këtu për ta nderuar këtë vepër të çmueshme. Një vepër e tillë nuk kishte si të mos çmohet lart edhe nga filantropët, në këtë rast zotëri Lazim Destani dhe ne si mbështetës pritëm me padurim që të dalë në dritë kjo vepër, që do t’i shërbejë jo vetëm gjeneratës së tanishme, por do t’u shërbejë edhe studiuesve, hulumtuesve nga vendi dhe jashtë”, tha Kasami.
blob:https://www.facebook.com/2a5c726b-7d02-40bc-828a-f36663596020