Është për t’u admiruar përpjekja e botuesit dhe publicistit Fatmir
Toçit që të sjell në vëmendjen e publikut një pjesë të trungut tonë të
shkëputur etnik, por asnjëherë të harruar. Libri “Arbëreshët midis
realitetit dhe mitit” i shkruar me pasionin e gjurmuesit hedh dritë
mbi një gjeografi të zhvendosur etnike, e cila arriti të ruaj
kontinuitetin e vet historik, kulturor, gjuhësor e socio-psikologjik
në saje të lidhjeve të brendshme të komunutetit arbëresh, i cili edhe
pse u integrua tërësisht në shoëqrinë italiane, ai megjithatë nuk u
asimlua dhe nuk e humbi identitetin thelbësor, siç është gjuha.
Librin e Fatmir Toçit duhet parë edhe si një databazë e të dhënave të
vlefshme, që ta përkujton një kasafortë ku ruhen gjevahirë të
çmueshëm. Ajo që e bën të veçantë këtë libër është kujtesa kolektive
arbëreshe, si një kod me të cilën mbyllet dhe hapet kjo kasafortë.
Por, përtej kësaj, arbëreshët në këtë libër i shohim të profiluar si
personalitete me ndikim në lëvizjen kulturore e politke shqiptare,
sidomos para dhe gjatë Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Me këtë rast nuk
duhet harruar edhe themeluesin e romantizmit shqiptar, Jeronim De
Rada, i cili përpos që krijoi një letërsi tepër të avancuar, me
identitet evropian, ai i dha hov zhvillimit të jetës kulturore e
letrare që nxori një plejadë të shquar emrash eminent të letërsisë
arbëreshe.
Autori si një mjeshtër i sprovuar në zanatin e evidentimit të të
dhënave , ka arritur që magjinë e jetës arbëreshe ta shtrijë në
periudha të ndryshme historike, që nga fillimet e zhvendosjes së tyre
pas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut e deri në ditët e sotme.
Ky libër na e bën më të qartë se pse dhe si arbëreshët arritën t’iu
mbijetojnë furtunave të asimilimit, por edhe rrezikun që sjell
modernizimi dhe globalizmi, ku edhe arbëreshët e Italisë në pikëpmaje
kulturore janë viktimë e këtyre fenomeneve të kohës.
Pasi ta kemi lexuar librin “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit”,
kuptojmë se rëndësia e kësaj vepre është e shumanshme. Në radhë të
pare, ky libër vjen si një inventarizim pedant i jetës arbëreshe nëpër
kohë e vende të ndryshme.
Arbëreshët e Italisë shërbyn edhe si urë lidhëse në mes të shqiptarëve
dhe Evropës. Libri i Fatmir Toçit zbërthen pikërisht këtë kontekst
kulturor të zhvillimit të krijimtarisë arbëreshe, duke filluar nga
tradita gojore, e deri te letërsia , muzika, artet pamore e skenike.
Veprat e tilla, si kjo e Fatmir Toçit, janë “akullthyesit” më adekuat
që shpërndajnë akujt e asimilimit në shoqëritë shumetnike, prandaj
botimi i këtij libri le të jetë edhe një kambanë alarmi për
parandalimin e rrezikut që i kanoset të ardhmes së arbëreshëve të
Italisë.
Prof.dr. Skender ASANI-drejtor i ITSHKSH,Shkup