Virusi Korona, Europa – epiqendër e pandemisë

Në Serbi është shënuar edhe viktima e parë nga virusi Korona. Një burrë 59-vjeçar ka vdekur si pasojë e koronavirusit në Qendrën Klinike të Vojvodinës. Siç kanë bërë të ditur autoritetet, viktima e ka marrë virusin nga një person, djali i të cilit ka qenë në Milano. Po ashtu në Serbi janë regjistruar edhe 14 raste të reja, duke e rritur në 149 numrin e të prekurve.

Marketing

Në Greqi ka shkuar në 13 numri i viktimave, pasi njoftohet edhe për tre të vdekur. Dy prej viktimave janë shënuar në Athinë dhe një në Selanik. Numri i përgjithshëm i të prekurve në Greqi arritur në 495 persona, 20 prej të cilëve ndodhen në gjendje kritike për jetën. Italia është vendi më i goditur në Evropë, prej ku u raportua për 627 vdekje të reja, duke e rritur numrin e përgjithshëm të personave të vdekur në mbi 4 mijë, ndërsa mbi 47 mijë persona rezultojnë të infektuar.

Në Gjermani numri i të infektuarve brenda një dite është rritur për 2.705 persona, ndërsa numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 16.662 persona.

Në Spanjë janë regjistruar 324 vdekje të reja me koronavirus, duke e çuar në 1326 numrin e përgjithshëm të viktimave. Ministria spanjolle e shëndetësisë po ashtu njoftoi se rreth pesë mijë persona janë infektuar brenda 24 orëve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se të rinjtë nuk janë imunë ndaj koronavirusit dhe duhet të mbajnë distancë sociale dhe të mos kenë kontakte me personat e moshuar, të cilët janë më të rrezikuarit. Drejtori i përgjithshëm i kësaj organizate tha se një prej gjërave që jemi duke mësuar është që, njerëzit e moshuar goditen më së keqi, por të rinjtë nuk kursehen.

“Unë kam një mesazh për të rinjtë: Ju nuk jeni të pathyeshëm, virusi mund t’ju dërgojë në spital për javë ose edhe mund t’ju vrasë.”,- deklaroi Tedros Adhanom Ghebreyesus nga OBSh.

Nju Jorku dhe Ilinois, të premten i janë bashkëngjitur Kalifornisë me kërkesën ndaj dhjetëra miliona njerëzve të qëndrojnë në shtëpi, si masë për parandalimin e shpërndarjes së koronavirusit në ShBA. Deri më tani virusi Korona u ka marrë jetën 250 personave në ShBA dhe ka infektuar mbi 14,000 të tjerë.

Në mesin e të prekurve është edhe një pjesëtar nga Zyra e nënpresidentit amerikan, Mike Pence. Por, presidenti Donald Trump dhe nënpresidenti Mike Pence nuk kanë pasur kontakte të ngushta me këtë person, ka deklaruar Katie Miller – sekretare për shtyp e nënpresidentit Pence.

Marketing