VLEN: A po dëshiron Ahmeti të mbrojë krimin familjarë në rrugë?

VLEN sot përmes një komunikate ka ironizuar me Bashkimin Demokratik për integrim duke e quajtur Bashkimi Jodemokratik për Dezintegrim. Sipas VLEN-it BDI-ja duhet të kuptoj se qytetarët kërkojnë reforma të thella, ofertë të vërtetë programore dhe kuadro të afta.

Marketing

“Humbësit e zgjedhjeve, Bashkimi Jodemokratik për Dezintegrim (BJD), duket se ende nuk e kanë kuptuar mesazhin e qartë të dërguar nga qytetarët shqiptarë. Qytetarët kërkojnë reforma të thella, ofertë të vërtetë programore dhe kuadro të afta. Në vend të kësaj, BJD po përpiqet të tërheqë shqiptarët në përpjekjet e tyre për të shmangur drejtësinë për 22 vitet e regjimit të tyre, pasojat e të cilit i ndjejnë të gjithë njerëzit.

Partia e mundur, plaçkitësit e popullit, u dërgua në opozitë më 8 maj për shkak të paaftësisë për të ofruar zgjidhje reale. Tani, si një parti e izoluar dhe nën presion nga faktori ndërkombëtarë, BJD vazhdon të krijojë tensione në përpjekje për të vonuar drejtësinë që pa dyshim i pret.

Pyesim publikisht nëse BJD, përmes rrugës dhe provokimeve, në të vërtetë dëshiron të shpëtojë nipërit e Ali Ahmetit dhe klanin kriminal që ka sunduar gjatë regjimit të tyre. A gjendet Drin Ahmeti në shtet, apo edhe atë e keni dërguar në “kurbet” përmes kadrove tuaj të mykosura?

Koalicioni VLEN do të vazhdojë të luftojë kundër kësaj politike të dezintegrimit dhe manipulimit. Ne jemi të vendosur të realizojmë reforma të thella dhe të sjellim drejtësinë për qytetarët tanë, pa kompromise me ata që përpiqen të kthejnë shtetin tonë në periudhën e korrupsionit dhe padrejtësisë”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.