VMRO-DPMNE vërteton se kryetari i tyre Hristijan Mickoski do të takohet me Viktor Orban

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski këto ditë do të jetë në Austri dhe në Hungari. Nga partia e tij vërtetojnë se do të ketë takim mes kryeministrit hungarez Viktor Orban, por nuk mohojnë se do të takohet edhe me Nikolla Gruevskim i cili ndodhet në arrati në Budapest.

Marketing

“Në takim pritet të bisedohet për çështjet lidhur me gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në Republikën e Maqedonisë, si dhe këmbimi i informacioneve të partive si motra për drejtimet e veprimit të mëtejshëm para Kongresit të ardhshëm të Partisë Evropiane Popullore për zgjedhjen e kryesisë së re”, thuhet në njoftimin e kumtesës së OBRM-PDUKM-së për takimin midis Mickoskit dhe Orban, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Për vizitën në Vjenë, VMRO-DPMNE shton se Mickoski do të ketë takime shkencore, këmbim të përvojave dhe informacioneve lidhur me veprimtarinë e tij si profesor në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”.

Ndryshe, Nikolla Gruevski është kryetar nderi i VMRO-DPMNE-së dhe gjendet në azil në Hungari nga nëntori i vitit të kaluar. Ai u arratis nga vendi që kur gjykata ja refuzoi të gjitha ankesat për anulim të dënimit me burg. Gruevski u dënua për rastin “Tanku” me dy vite burgim.