VOA: BE dorëzon sasinë e parë të vaksinave në Ballkan

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi në një turne nëpër Ballkanin Perëndimor solli vaksinat e para, donacion i BE-së. BE-ja do të ndajë 651 mijë vaksina Pfizer-BioNtech për Bosnjën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë.

Vaksina do të shpërndahen deri në muajin gusht. Komisioneri e filloi turneun në Beograd të hënën, ku blloku do të dërgojë numrin më të vogël të vaksinave, rreth 30 mijë, për shkak se Serbia deri tani paraqitet me një situatë më mirë me furnizimin dhe vaksinimin e popullatës.

Marketing

Të martën në Sarajevë zoti Varhelyi tha se “ishte një ditë e madhe për Bosnje-Hercegovinën”, së cilës do t’i jepen 200 mijë vaksina “për imunizimin e punonjësve të shëndetësisë të vijës së parë të frontit”, siç u shpreh ai.

Zoti Varhelyi u ndal më pas në Podgoricë të Malit të Zi. Gjatë qëndrimit të tij të shkurtër në Mal të Zi, zoti Varhelyi tha gjithashtu se Bashkimi Evropian po shqyrton mënyra për të ndihmuar këtë vend që të trajtojë një hua për ndërtimin e një autostrade, prej 1 miliard dollarësh të marrë nga Kina, e cila po kërcënon të mbysë ekonominë e këtij vendi. Ndërsa tha se BE-ja nuk merret me “pagimin e huave të marra nga aktorë të tjerë”, zoti Varhely tha se rifinancimi ose modele të tjera financiare, mund të jenë një zgjidhje.

Mali i Zi do të marrë nga BE deri në muajin gusht 42,000 vaksina të Pfizer-it, pasi ka marrë më parë nga Kina të 200,000 doza të Sinopharm-it që i mundësuan autoriteteve shëndetësore të fillonin programin e vaksinimit masiv të martën.

Ai shkruante në Twitter se: ”Ndarja e vaksinave konfirmon zotimin tonë të vazhdueshëm në sigurimin e mbështetjes, siç kemi vepruar që nga shpërthimi i pandemisë”.

Vizita në Shkup e komisionerit evropian u shoqërua me dorëzimin e një sasie prej 4,680 vaksinash, sasia e parë e donacionit evropian. Së bashku me Kryeministrin Zoran Zaev dhe ministren austriake për Evropën, Karoline Edstadler, vendi i së cilës ka dërguar paketën e parë të vaksinave në kuadër të donacionit të BE-së, vizituan qendrën më të madhe të vaksinimit në Shkup. Maqedonisë së Veriut do t’i jepen gjithsej 119 mijë vaksina.

Zoti Varhelyi theksoi se: “Ne (Bashkimi Evropian) do të kujdeset për ju, do të kujdeset për Ballkanin Perëndimor”. Ai tha se grumbullimi i vaksinave nuk ishte një punë e lehtë. “Shpresoj që të gjithë të vaksinohen shumë shpejt dhe në dy muajt e parë i gjithë personeli shendetësor do të marrë vaksinat”, theksoi ai.

Ndalesat e radhës e Komisionerit Oliver Varhelyi do të jenë Tirana e Prishtina.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor janë mbështetur kryesisht tek programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, por vaksinat nga ky program po vonojnë. Ndërkohë, BE-ja, e cila do të furnizojë këto shtete me vaksina të Pfizer-it deri në muajin gusht është po ashtu kontribuesi kryesor i programit COVAX me 2.5 milardë euro.

Në Maqedoninë e Veriut të martën ka filluar vaksinimi në masë pas furnizimit me vaksinat kineze Sinopharm. 200 mijë vaksina kineze kanë arritur para katër ditësh në Shkup, teksa autoritetet po përgatisin pikat e vaksinimit nëpër disa qytete të vendit. Në Tetovë planifikohet që kapaciteti të jetë për kryerjen 1,500 vaksinave në ditë, ndërsa në të gjithë vendin nga 10 mijë deri në 15 mijë brenda një dite. /VOA