Vrasja e maturantit, kërkohet rigjykim i rastit

Familja Eshtrefi kërkon rigjykim për Naser Eshtrefin, i dënuar për vrasjen e Angell Petkovskit në vitin 2014 në lagjen Gjorçe. Gjyshi i Naserit, Ilmiu pretendon se nipi vrau në vetëmbrojtje, por u dënua padrejtësisht me 14 vjet burg.

Marketing

Ai iu apelon Institucioneve kompetente të zbardhin të vërtetën e plotë, pasi dyshon se veprimet e prokurorit dhe gjykatësit të lëndës i drejtoi “Politika” dhe jo faktet.
Unë e kuptova se prokurori ishte i korruptuar. Unë jam i sigurt 99% se komuna e Gjorçe Petrovit i dha banesë të re. Sepse unë kur isha në gjyq, nga fillimi deri në fund unë nuk kam lëvizur asnjë sekond nga salla.

Atë ditë kur e gjykuan, 3 herë gjykatësi ka dalë jashtë me telefon. Nuk tha se ke vrarë njeri, por vetëm tha se dënohesh me 14 vjet. Kur e thërrisnin gjykatësin në telefon, prokurori publik qeshej me prindërit e tij, sepse e dinte se kush e kërkonte”- theksoi Ilmi Eshtrefi, gjyshi i Naser Eshtrefit.

Tashmë dy vjet e gjysmë lënda ndodhet në Gjykatën Supreme. Avokati mbrojtës, Angell Gjorgjievski thotë se heshtja e Institucionit më të lartë gjyqësor nuk mund të arsyetohet ndryshe, pos që le dyshime për ndikim politik.

Sinqerisht pres anulim të dy akt-vendimeve që karakterizohen me një sërë anomalish. Pres që lënda të kthehet në rigjykim dhe shqyrtim në gjykatën e shkallës së parë. Gjithë këtë e flas me fuqinë e argumenteve juridike që theksohen në kërkesën e dërguar në Gjykatën Supreme. Janë argumente shumë të fuqishme juridike, nuk janë improvizim ose shpresë e pabazë e mbrojtjes. Janë momente që gjykata e shkallës së parë dhe të dytë nuk deshën dhe jo që nuk mund t’i shihnin”- tha Angell Gjorgjievski, avokat.

Sipas Gjorgjievskit, një nga argumentet e mos-përfillura nga Gjykata ishte edhe ekspertiza neuro-psikiatrike që vërteton se Eshtrefi veprën e ka kryer nën presion, respektivisht pasi ndaj tij është ushtruar dhunë nga viktima dhe babai i viktimës. Ndryshe, vrasja ndodhi për shkak të dyshimit se Eshtrefi kishte marrë biçikletën e Petkovskit.

Për të pastruar hesapet, i ndjeri bashkë me të atin kishin lënë takim me Eshtrefin ku edhe kishte plasur sherri. Fotografitë dëshmojnë se Eshtrefi ishte rrahur brutalisht, ndërsa Petkovski kishte vdekur si pasojë e goditjes me thikë në zemër.

E kujt ishte thika me të cilën ishte kryer vrasja nuk u mësua asnjëherë, por duke marr për bazë kamerat e sigurisë, ekspertiza ka dëshmuar se Eshtrefi nuk kishte armë ose mjet të fortë me vete. Në procesin gjyqësor babai i viktimës nuk ishte pjesës e akuzës. Vrasja e Petkovskit kishte nxitur reagime dhe protesta të dhunshme ku si pasojë, protestuesit demoluan dhe i vënë flakën dhjetëra pronave shqiptare në Gjorçe Petrov.