Një krim i rëndë në familje ka tronditur Elbasanin mesditën e djeshme, ku burri ka vrarë me armë zjarri gruan e tij.
Duke qenë se autori ka qëlluar disa herë me armë zjarri në rrugë, të plagosur kanë mbetur edhe dy persona të tjerë, njëri është avokat, të cilët kanë qenë kalimtar të rastit. Viktima është Liljana Buzo, 54 vjeçe, ndërsa autori i krimit Koço Buzo, 58 vjeç. Të plagosur kanë mbetur, avokati, Gëzim Toçila dhe një kalimtar i identifikuar si Adriatik Kolaj.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur pranë Gjykatës së Elbasanit, ku mësohet se çifti sapo kishte përfunduar seancën gjyqësore, ku gruaja kërkonte urdhër mbrojtjeje për shkak se dhunës që bashkëshorti i ushtronte. Madje, ajo kishte bërë edhe një kallëzim për dhunë në familje dhe kishte një proces penal ndaj autorit. Pas krimit, autori u arrestua nga forcat e Policisë.
Burimet thanë se mes bashkëshortes Liljana Buzo dhe Koço Buzos ka pasur një seancë pajtimi në Gjykatën e Elbasanit. Pasi kanë dalë nga Gjykata, Koço Buzo, ishpunonjës Policie ka shkuar ka marrë një armë tip kallashnikov duke e qëlluar disa herë. Sipas Policisë, Liljana Buzo ka ndërruar jetë gjatë transportit në spital.
Dëshmia
Autori i dyshuar i krimit të familje, Koço Buzo, nuk ka dhënë shpjegime të gjata, me pretendimin se është i rënduar psikologjikisht. Por shkurtimisht thotë se ishte çështje xhelozie.
“I pata thënë që nuk ke për t’u ndarë nga unë”, ka deklaruar ai para grupit hetimor. Çifti ishte prind i dy djemve dhe nuk kanë pasur proces për ndarje, por ka pasur një padi për dhunë në familje. Ka qenë një proces penal, pasi e kishte kallëzuar bashkëshortja.
Mësohet se nuk ka pasur kërkesë për urdhër mbrojtjeje nga ana e së dëmtuarës dhe për pasojë nuk e ka pasur një të tillë. Autori i dyshuar i krimit të rëndë, momentalisht punonte si polic privat pranë një shoqërie sigurimi në Elbasan.
Ngjarja
Ka qenë ora 12:15, kur Koço Buzo, ish-punonjës i Policisë së Elbasanit, i përjashtuar nga radhët e efektivëve tashmë, ka pritur në distancë, te Gjykata e Elbasanit, aty ku Liljana Buzo, bashkëshortja e tij, ka qenë e pranishme në seancën e parë, për procedurën e pajtimit të çiftit. Por autori i ngjarjes, 58-vjeçari Buzo, nuk është paraqitur në këtë seancë, duke zgjedhur t’i zërë pritë bashkëshortes 54- vjeçare, të cilën e ka qëlluar me kallashnikov sapo ajo ka dalë nga Gjykata. Ajo ka mbetur e plagosur rëndë dhe është nisur me urgjencë drejt spitalit, por sapo ka mbërritur aty, ka ndërruar jetë. Reagimi i Policisë së Elbasanit ka qenë i menjëhershëm, duke bërë që në kohë rekord autori të neutralizohet, shkruan panorama.
Ai është arrestuar pak metra larg vendit të ngjarjes dhe i është sekuestruar edhe arma e zjarrit me të cilën kreu vrasjen. Afro 10 metra nga vendi i ngjarjes, pranë një banese, ai kishte hedhur automatikun, që u gjet nga ana e Policisë. Burimet thanë se i dyshuari si autor i vrasjes, ka qëlluar 8 herë me automatik. Katër plumba kanë goditur bashkëshorten e tij, ndërsa dy plumba kanë plagosur Adriatik Kolajn, 58 vjeç, kalimtar dhe Gëzim Toçillën, me profesion avokat, që po ashtu është gjendur rastësisht para Gjykatës ku ndodhi ngjarja.
Avokati u plagos rastësisht, ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spital
Të plagosurit ndodhen në spitalin e Elbasanit, ku mjekët konfirmojnë se gjendja e tyre është e stabilizuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Megjithatë përgjatë ditës së djeshme, njëri prej tyre, avokati Gëzim Toçilla ka vijuar të mbahet nën trajtim intensiv nga ana e stafit mjekësor. Burimet thanë se avokati i plagosur nuk ka lidhje me çiftin, por zona ku ka ndodhur ngjarja ka pasur përreth zyra avokatie, duke qenë se aty është Gjykata. Ndonëse e kishte denoncuar të shoqin për dhunë në familje, Liljana Buzo nuk kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje. Aktualisht, ajo ndodhej në proces gjykimi me bashkëshortin e saj Koço Buzo, i cili ishte marrë i pandehur për akuzën e “Dhunës në familje”.
Çështja gjyqësore ditën e djeshme ishte për diskutim në seancë paraprake, ku gjyqtarja e çështjes Miranda Çekrezi, ka thirrur palët për t’u ballafaquar në gjyq. Për shkak të mos paraqitjes së të pandehurit Koço Buzo, i cili në gjykimin e djeshëm përfaqësohej nga avokati Fatmir Lushi, gjyqtarja Çekrezi ka shtyrë seancën gjyqësore për t’u zhvilluar më datën 14 maj 2021. Fillimisht çifti ka hyrë në një rrugicë në pjesën e djathtë të godinës së Gjykatës, ndërsa autori e ka ndjekur nga pas duke vrapuar për 30 metra dhe e ka qëlluar me breshëri plumbash nga parapa shpine. Dje u publikua edhe një fragment nga ngjarja kur Liljana Buzi bie e vdekur në tokë, e filmuar nga kamerat e sigurisë. Mësohet se e gjithë skena e krimit është parë edhe nga njëri prej djemve të çiftit, i cili tentoi t’i merrte armën të atit për t’i dalë në mbrojtje nënës së tij, por nuk ia arriti dot. Autori i dyshuar është arrestuar, ndërsa djali i tij ndodhet në gjendje të rëndë psikologjike.