Vriten me thikë dy gra në një qendër myslimane në Portugali

I dyshuari për vrasjen me thikë të dy grave në një qendër myslimane ismailite në Lisbonë është qëlluar nga Policia portugeze.

Marketing

Gratë ishin anëtare të stafit portugez në qendër, tha kreu i komunitetit, Narzim Ahmad, për televizionin portugez S.I.C.

Pasi u njoftua, Policia tha se shkoi në vendin e ngjarjes dhe u ndesh me të dyshuarin, i cili ishte “i armatosur me një thikë të madhe”.

Policia tha se e urdhëroi atë të dorëzohej, por i dyshuari nuk u bind dhe eci drejt policëve, të cilët e qëlluan. Më pas, ai u dërgua në një spital të Lisbonës dhe iu caktua masa e paraburgimit.

Veç dy grave të vdekura, në njoftimin e Policisë thuhet se ka edhe persona tjerë të plagosur, por nuk jepen detaje tjera.

Kryeministri portugez, Antonio Costa, tha u tha gazetarëve se sulmi ishte “një akt kriminal”.

“Gjithçka tregon se ky është një incident i izoluar”, tha ai, duke shtuar se janë duke u hetuar motivet e këtij akti, por është shumë herët për të “spekuluar mbi motivet”.

Myslimanët shiitë ismaili, të njohur përgjithësisht si ismailitë, i përkasin degës shiite të islamit, sipas faqes së tyre të internetit. Ata jetojnë në më shumë se 25 vende të botës./rel