Vuçiç: Serbia po forcon industrinë e mbrojtjes

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të martën se investimet në zhvillimin dhe forcimin e industrisë së mbrojtjes në Serbi do të vazhdojnë.

Marketing

Vuçiç i bëri komentet në hapje të Panairit Ndërkombëtar të Armëve dhe Pajisjeve Ushtarake “Partner 2021”, në Beograd.

“Në botën e interesave nuk ka mëshirë për të dobëtit, por respekt për të fortët, andaj është e rëndësishme të zhvillojmë industrinë e mbrojtjes”, tha Vuçiç, për të shtuar se vendi i tij “nuk mund të poshtërohet e as rrezikohet”.

“Është e rëndësishme të konkurrojmë me fuqitë e mëdha në promovimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, është e rëndësishme të ndërtojmë rrugën tonë edhe në këtë çështje dhe t’i zgjedhim ato fusha në të cilat mund të konkurrojmë, sepse nuk mundemi në të gjitha”, tha Vuçiç.

I pyetur nga Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë se si i komenton kritikat e Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së për blerjen e armëve nga Rusia dhe Kina, Vuçiç tha se Serbia merr vendime në mënyrë autonome dhe se është krenare për këtë.

Vendimet janë marrë “në interes të Serbisë”, tha ai. Në panairin e armëve dhe pajisjeve ushtarake, i cili po mbahet paralelisht me samitin e Lëvizjes së të Painkuadruarve në Beograd, po prezantohen sisteme të artilerisë dhe raketave, armë të vogla dhe municione, automjete të blinduara luftarake, pajisje elektronike, radarë të rinj dhe anije patrulluese.

Në hapjen e panairit morën pjesë përfaqësues të disa delegacioneve të huaja, ndërsa ekspozuesit janë nga 16 vende, përfshirë: Kinën, Austrinë, Kanadanë, Francën dhe Gjermaninë./