Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një konferencë për media, ka thënë se brenda ditësh do të vazhdoi dialogu Kosovë-Serbi dhe është gati të diskutojë për kompromise në arritjen e një marrëveshje finale mes dy vendeve.
Vuçiq ka deklaruar se në takimin e djeshëm ua ka sqaruar përfaqësuesve të SHBA-së dhe BE-së, se Serbia nuk e mbështetë një ‘konflikt të ngrirë’ mes dy vendeve, i cili do t’iu lihej gjeneratave të ardhshme.
“Në takim ju thash Palmerit dhe Lajçakut se ne duam të zgjidhim problemet e të kaluarës, por nuk mund të heqim dorë nga interesat bazike të Serbisë. Ne jemi gati që të diskutojmë zgjidhjet që dalin nga kompromiset, por nuk do ta lejojmë poshtërimin e Serbisë. Dialogu do të vazhdojë së shpejti. Është çështje ditësh”, tha Vuçiq.
Presidenti serb po ashtu tha se do të raportojë në Parlament për gjithçka që do të ndodhë në Bruksel.
“Lajçak dhe Palmer e dinë se çka mund të flasin me përfaqësuesit serbë. Dëshirat e tyre janë çështje tjetër. Palmer ka avokuar për idenë e njohjes së Kosovës dhe unë s’kam asgjë për t’u ankuar. E jona është ta luftojmë një kërkesë të tillë. Nuk do ta ndryshojmë vendimin për njohjen e Kosovës”, shtoi Vuçiq.
Kujtojmë se i ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmëssekretari amerikan i shtetit, Mathew Palmer, kanë realizuar vizita disa ditore në Kosovë dhe Serbi, në kuadër të intensifikimit të përpjekjeve të tyre për rinisjen e dialogut në Bruksel.