Xhaferi-Gulijev: E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE, sa më shpejt duhet të fillojnë negociatat

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi realizoi takim me Azaj Gulijev, nënkryetar i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe përfaqësues special për Evropën Juglindore, gjatë axhendës së tij të takimeve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Republikën e Shqipërisë dhe Malin e Zi.

Marketing

Në takim morën pjesë: Igor Janushev, shef i Delegacionit në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, Monika Zajkova, anëtare e Delegacionit, Dime Velkovski, Gordana Siljanovska-Davkova dhe Berat Ajdari, zëvendësanëtarë të Delegacionit dhe ambasadori Klemens Koja, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup.

Në takim u shkëmbyen mendime për gjendjet në vend dhe rajon, si dhe për aktivitetet e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, që është e vetmja organizatë parlamentare në strukturën e Organizatës dhe kryen rol të lidhjes vitale ndërmjet pjesës qeveritare të OSBE-së dhe deputetëve që janë të zgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët.

Kryetari Xhaferi shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e frytshëm të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, si dhe me Misionin e OSBE-së në Shkup, me qëllim të forcimit të pavarësisë parlamentare, funksionit mbikëqyrës dhe rolit demokratik dhe promovimit të barazisë gjinore.

Ai u shpreh shpresëdhënës se vizita e sotme, si dhe vizitat në Shqipëri dhe Mal të Zi në ditët në vijim, në masë të madhe do t’i mundësojnë përfaqësuesit special Gulijev më për së afërmi të njihet me situatën në rajon.

Azaj Gulijev informoi se qëllimi i vizitës së tij është të fitojë njohuri për zhvillimet në vendet dhe në rajon, si dhe të riafirmojë përkushtimin e OSBE-së për promovimin e dialogut në të gjitha segmentet e shoqërisë, veçanërisht në nivel parlamentar.

Në këtë drejtim, ai promovoi idenë e krijimit të një platforme joformale për dialog ndërmjet deputetëve-anëtarë të AP të OSBE-së në rajonin e Evropës Juglindore, e cila mori mbështetje unanime nga kryetari Xhaferi dhe deputetët.

Në takim u bisedua edhe për kryesimin e ardhshëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023, me ç’rast u theksua rëndësia e bashkëpunimit me dimensionin parlamentar të Organizatës në përcaktimin e prioriteteve, zbatimin e aktiviteteve të shumta dhe ballafaqimin e sfidave në kuadër të kryesimit.

Xhaferi dhe Gulijev përfunduan se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE dhe është e nevojshme që sa më shpejt Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të fillojnë negociatat e para-anëtarësimit me Unionin, për shkak se procesi i zgjerimit të BE-së promovon paqen afatgjatë, stabilitetin dhe prosperitet në të gjithë rajonin.