Xhaferi: Nuk ka bazë juridike për realizimin e nismës nga deputetët e pavarur

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, informoi se e ka pranuar dhe shqyrtuar Nismën e Grupit parlamentar të pavarur të VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit për Maqedoni më të mirë, e cila ka të bëjë me kërkesën për testim vullnetar të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për narkotikë, kumtuan nga Kabineti i Xhaferit.

Marketing

“Ju informojmë se, në Ligjin për deputetët, në Rregulloren për punën e Kuvendit dhe në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nuk ka bazë juridike sipas së cilës kryetari dhe Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut kishin mundur të realizojnë Nismën e Grupit parlamentar të pavarur. Kushtet për kandidimin, për zgjedhjen dhe për punën e deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë qartë të përkufizuara dhe së këndejmi, kryetari i Kuvendit nuk mundet dhe nuk guxon të veprojë jashtë autorizimeve të veta ligjore”, qëndron në kumtesë.

Sipas Ligjit për siguri dhe shëndet në punë, neni 22, paragrafi 1, punëdhënësi doemos duhet të sigurojë kontrollime shëndetësore për të punësuarit më së paku çdo 24 muaj. Deputetët dhe të punësuarit në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si edhe të gjithë personat e punësuar në shtet, shkojnë në kontrollime të rregullta sistematike, që janë vërtetim për gjendjen e tyre shëndetësore.
Kontrolli i fundit sistematik është realizuar në vitin 2017, ndërsa kontrolli i ardhshëm i rregullt sistematik do të realizohet gjatë këtij viti.

“Në plotësim, nuk janë të vërteta pohimet e koordinatorit të grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikola Micevski se Kryetari i Kuvendit mundet edhe pa nismë të parashtruar formalisht të përcaktojë përgjegjësi të një deputeti.
Në përputhje me Kodin për sjellje etike të deputetëve, Neni 15, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, nuk ka kompetencë në procedurën për përcaktimin e bërjes së cenimeve të lehta dhe të rënda dhe për kumtimin e masave për deputetët”, theksohet në kumtesën e Kabinetit të Xhaferit.