Xhaferi – Pahor: Përforcim i bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për Evropë më të sigurt

Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Sllovenisë, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi realizoi takim me Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor.

Marketing

Siç informon shërbimi i Kuvendit për media Presidenti Pahor shprehu kënaqësi për takimin dhe drejtoi urime për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës dhe miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Ai tha se Republika e Maqedonisë është vend miqësor i cili ndan histori të përbashkët me Republikën e Sllovenisë dhe vend me të cilin ekziston respekt i ndërsjellë dhe bashkëpunim i shkëlqyeshëm, a i përshëndeti edhe përpjekjet e Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe BE, me ç’rast theksoi se vendimet e ndërmarra për zgjidhjen e kontesteve me fqinjët kërkojnë përgjegjësi politike por, nevojitet vendosmëri dhe guxim për marrjen e vendimeve të pjekura politike të cilat kontribuojnë për një ardhmëri më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët.

Kryetari Xhaferi shprehu falënderim për mbështetjen e Republikës së Sllovenisë në përpjekjet për integrimin e Republikës së Maqedonisë në NATO dhe BE. Ai theksoi se vendi është i vetëdijshëm për rrugën që e ka kaluar, dhe vështirësia e vendimeve nuk do i ndryshojë ndjenjat e qytetarëve por përkundrazi, do i afrojë edhe më shumë, nëpërmjet respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë.

“Kryetari Xhaferi po ashtu falënderoi për nismat rajonale siç është ‘Procesi Bërdo – Brioni’, si edhe Procesi për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (PBEJL), që u dëshmua si shembull i mirë për tejkalimin e kontesteve nga e kaluara dhe bazë e mirë për bashkëpunim rajonal. Në këtë kontekst, Kryetari Xhaferi nënvizoi se është veçanërisht i rëndësishëm vizioni i Republikës së Sllovenisë për Ballkan Perëndimor të integruar dhe stabil, në NATO dhe Bashkimin Evropian”, qëndron në kumtesë.

Pahori theksoi se Republika e Sllovenisë do të bëjë gjithçka që mundet ta përkrahë Republikën e Maqedonisë në rrugën e saj euroatlantike, për arsye se vetëm nëpërmjet integrimit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor do të kemi paqe në rajon dhe më gjerë. Ai po ashtu theksoi se siguria në rajon ndikon edhe në aspektin ekonomik për shkak se, anëtarësimi sa më i shpejtë i vendit tonë në NATO dhe BE do të thotë siguri më të madhe, rritje të ekonomisë, hapje të vendeve të reja të punës dhe përmirësim të cilësisë së jetës së përditshme.

Gjatë takimit, Kryetari Xhaferi rikujtoi se Republika Maqedonisë i përmbush me përkushtim reformat e duhura në fushat me prioritet të vendosura në Planin 3-6-9 dhe Planin 18 dhe kjo u vlerësua me raport pozitiv nga Komisioni Evropian dhe përcaktim të datës për negociata nga ana e Këshillit të BE. Gjithashtu, shumica parlamentare i përkushtoi vëmendje të veçantë përparimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal, e vetëdijshme për rëndësinë e këtij elementi në procesin e zgjerimit. Ai theksoi se në procesin e skriningut janë inkuadruar në mënyrë aktive të gjitha institucionet relevante në Republikën e Maqedonisë, ndërsa në kontekst të NATO-s, pritjet janë se deri në fund të vitit 2019, ose fillimin e vitit 2020, do bëhemi anëtarja e 30-të e NATO-s.

“Në fund të takimit, të dy bashkëbiseduesi u pajtuan se nevojitet të intensifikohet bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në pjesën ekonomike për shkak se përforcimi i bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor kontribuon për një Evropë më të sigurt, a me këtë do i tregojmë edhe Evropës se Ballkani është i përgatitur të bëhet pjesë e bashkësisë në të cilën respektohen të drejtat dhe liritë e qytetarëve, bashkësi në të cilën sundon e drejta, demokracia dhe standardet evropiane”, theksohet në kumtesë. .

Marketing