Xhaferi – Sharec: Maqedonia e Veriut meriton të fillojë negociatat

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi sonte në takim me kryeministrin slloven, Marjan Sharec ka shprehur falënderim për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme nga Sllovenia në realizimin e qëllimeve tona strategjike për anëtarësim në NATO dhe BE.

Marketing

“Sharec konstatoi se Republika e Maqedonisë së Veriut bëri përpjekje të mëdha dhe investoi shumë në procesin për fillim të proceseve euroatlantike. Si vend shembull në rajon për bashkëjetesë të përbashkët, vendi meriton të fillojë negociata dhe të vlerësohet ndaras për arritjet e veta të deritanishme, me çka do të mundet realisht të bëjë lëvizje në rrugën e vet euroatlantike. Ai e bindi kryetarin Xhaferi se Republika e Sllovenisë do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj t’i bindë partnerët evropianë se vendi duhet të marrë datë për fillim të negociatave për anëtarësim në BE”, informoi shërbimi kuvendor për shtyp.

Xhaferi e informoi kryeministrin slloven se vendi ynë për një periudhë relativisht të shkurtë kohore me sukses i ka tejkaluar çështjet e hapura me Greqinë dhe Bullgarinë dhe e ka hapur rrugën për anëtarësim në NATO, si dhe për procesin e ratifikimit të Protokollit inkuadrues për anëtarësim në NATO, i cili shënon dinamikë më të madhe nga anëtarësimet e mëparshme, posaçërisht për shkak të faktit që për nëntë muaj kemi rrumbullakësuar ratifikime në 23 vende anëtare me pritje që vitin e ardhshëm 2020 ai proces të përfundojë dhe vendi të bëhet anëtare e barabartë në NATO. Iu falënderua Sllovenisë për ratifikimin e parë të protokollit pas Republikës së Greqisë këtë vit. Lidhur me BE-në, Xhaferi shprehi pritje se vendi do të marrë datë për fillim të negociatave me BE-në në Samitin e ardhshëm të Këshillit të BE-së.

Bashkëpunimi mes dy vendeve, konstatuan bashkëbiseduesit, duhet të vazhdojë me intensitet të pazvogëluar në fushën e ekonomisë, kulturës dhe në sfera të tjera të interesit të përbashkët, ndërkaq diaspora të shërbejë si urë ndërlidhëse dhe avancim i bashkëpunimit në këto fusha. .

Marketing