SHBA-ja beson në mënyrë naive se me ndryshimin e kufijve të Kosovës dhe të Serbisë, përfundimisht do të zgjidhet ky problem, vlerësoi kështu në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Eduard Xhozef, profesor në Universitetin Xhons Hopkins dhe i cili ishte në shumë misione ndërkombëtare të Ballkanit.
Ai thotë se me deklaratat, si ato të Xhon Bolton, këshilltar i presidentit amerikan Donald Tramp, se i mbetet Kosovës dhe Beogradit që të dakordohen, në të vërtetë inkurajohet edhe opsioni për ndryshimin e kufijve.
Xhozef vlerëson se ideja për ndryshimin e territoreve si zgjidhje do të marrë hov.
“Çështje tjetër është nëse Prishtina dhe Beogradi do të mund të dakordohen konkretisht se cilat territore do të ishin pjesë e asaj marrëveshje. Gjithashtu, shtrohet edhe pyetje serioze dhe ajo është a do të mund të parandalohen efektet negative nga një zgjidhje e tillë për BeH-në, Maqedoninë dhe serbëve në jug të Ibrit. Mendoj se do të jetë i nevojshëm angazhim shtesë i bashkësisë ndërkombëtare, duke e përfshirë edhe Uashingtonin, që të pengohen pasojat e tilla”, vlerësoi Xhozef.
Porosia e Bolton se Uashingtoni nuk e përjashton opsionin për korrigjime të territoreve nëse Prishtina dhe Beogradi dakordohen, Xhozef e vlerësoi si deklaratën më të rëndësishme të një funksionari amerikan për këtë rajon nga viti 1991 kur sekretari i atëhershëm amerikan i shtetit Xhejms Bejker tha se nuk është problem i tyre ajo që Jugosllavia po copëtohet.
“Bolton, në esencë e përsërit qëndrimin e njëjtë, duke theksuar se SHBA-ja nuk brengoset si Prishtina dhe Beogradi do ta zgjidhin këtë çështje. Kjo është një deklaratë naive dhe e shkurtër, sepse nuk i merr parasysh pasojat nga një zgjidhje e tillë”, theksoi Xhozef.
Ai potencoi se nga ana tjetër, status kuoja nuk i përgjigjet asnjërës anë. Serbia nuk mund të hyjë në BE, ndërsa Kosova as në BE, as në KB nëse nuk arrihet marrëveshje e ndërsjellë.
Duke theksuar se presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq gjoja kanë mbajtur shumë takime private, Xhozef përkujton se opozita e dy vendeve e kundërshton idenë për këmbim territoresh. Ai u përqendrua edhe në termin i cili shfrytëzohet – korrigjime territoriale.
“Nocioni ‘korrigjim’ implikon se ka ekzistuar një gabim historik, i cili tani duhet të korrigjohet. Mund të parashikohet se bëhet fjalë për organizim territorial gjatë kohës së Josip Broz Tito, kur disa komuna me shumicë serbe janë aneksuar drejt Kosovës, ndërsa disa të tjera, me shumicë shqiptare janë aneksuar në Serbi”, thotë Xhozef për REL.
“Tito kishte frikë nga afeksioni i Kosovës për Shqipërinë, Maqedonisë për Bullgarinë, si dhe Vojvodinës për Hungarinë. Kjo është arsyeja e vetme pse Vojvodina dhe Kosova nuk kanë marrë status të republikave, edhe pse i kanë pasur atributet, duke i përfshirë edhe kufijtë interne”, thekson profesori.
Ai vlerëson se ndryshimi eventual i kufijve do t’i inkurajojë edhe vendet e tjera të Ballkanit.
“Një numër i madh i serbëve në Republikës Sërpska nuk e kanë përjetojnë BeH-në si vend të tyre, e as që ndjejnë besnikëri ndaj kryeqytetit Sarajevë. Madje edhe nëse Thaçi dhe Vuçiqi kumtojnë se marrëveshja për ndryshim të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë ka të bëjë vetëm me atë rast, që do t’i pengonte serbët e RS-së për të agjituar për pavarësi? Pse bashkatdhetarët e tyre nga Kosova mund të përfshihen drejt Serbisë e ata nuk munden, pa dallim të rrethanave të ndryshme. Nëse RS shkëputet nga BeH-ja, atëherë do të largohen edhe kroatët. Çfarë do të jetë reagimi i boshnjakëve? A do të lejojnë pa luftë t’u dështojë vendi? Bëhet fjalë për komplikime serioze”, paralajmëron Xhozef.
“Po e njëjta gjë ka të bëjë edhe me shqiptarët në Maqedoni. Gjithashtu, në atë variant Kosova, në mënyrë të pashmangshme do të bashkohej me Shqipërinë. Do të thotë, ndryshimi i kufirit të Kosovës dhe Serbisë menjëherë negativisht do të reflektojë edhe në të drejtat e pakicave. I përmend serbët në jug të Ibrit, sepse do të ndalojë të vlejë plani i Marti Ahtisarit, ku ekziston supozimi se në Kosovë ekziston shumicë e konsiderueshme serbe të drejtat e të cilëve duhet të garantohen”, theksoi Xhozef në intervistën për Radion Evropa e Lirë.