Zaev: Ligji për prokurorinë nuk shpëton askënd

Propozim ligji për Prokurorinë Publike në të cilën do të inkorporohet edhe PSP-ja, në asnjë rast nuk ka për qëllim të shpëtojë apo të njollos dikë, deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

Marketing

Ai sqaron se përdorimi i të ashtuquajturave “bomba” limitohet në lëndët e dorëzuara deri 30 qershor 2017, pasi kjo ishte edhe pjesë e Marrëveshjes së Përzhinës. Por, kjo nuk është pengesë që të gjitha ato raste nëse ka fakte të vazhdojnë të procesuohen në prokuroritë përkatëse.

“Të gjitha proceset për të cilat ka fakte vazhdojnë, faktet janë të gjalla dhe ekzistojnë, askush nuk mund t’i shkatërrojë apo t’i fshehë ato. Lëndët shpërndahen në mënyrë të duhur në Prokurorinë Publike, më tej në PSP-në e re për krim të nivelit të lartë, në Prokurorinë për krim të organizuar. Rastet shpërndahen siç duhet, sepse ka fakte dhe në asnjë moment nuk është shqyrtuar mundësia që dikush të shpëtohet, apo të njolloset figura e dikujt”,- theksoi kryeministri i RVM-së, Zoran Zaev.

Zaev nuk përjashtoi mundësinë që gjatë vikendit të mbahet takimi me liderin e VMRO-së, Hristijan Mickovskin, por pavarësisht kërkesave që mund të dalin nga ky takim, ai tha se nuk do ketë lëshime nga vlerat evropiane.

“Nuk do të bëjmë lëshime për atë çka përfaqëson vlera evropiane, principe dhe për atë për të cilën komuniteti ndërkombëtar dhe vendor në mënyrë absolute nuk do të bënte përjashtime”,- tha kryeministri i RVM-së, Zoran Zaev.
Këto komente Zaev i bëri gjatë paralajmërimit të investimit më të ri nga ana e Kompanisë gjermane “Gereshajmer”, e cila pritet të fillojë me punë në vitin 2020.