Zaev, në kërkim të dy të tretave për Specialen

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka takuar përfaqësuesit e partive politike shqiptare të opozitës për të siguruar mbështetjen e tyre për votimin e draft-ligjit për Prokurorinë Speciale, e cila në bazë të propozimit të Ministrisë së Drejtësisë duhet të kalojë si sektor i veçantë në kuadër të Prokurorisë së rregullt.

Marketing

Veç kësaj, propozimi parasheh që kjo prokurori përveç që do të ketë stafin e njëjtë, ajo nuk do të mund të përdorë si prova materiale bisedat e zyrtarëve nga ajo që njihet si aferë e përgjimeve.

Kryetari i Aleancës për Shqiptarë, Ziadin Sela, ka deklaruar pas takimit me kryeministrin Zaev, se subjekti që ai përfaqëson mbështet punën e Prokurorisë Speciale, por ka kërkuar kompetenca edhe më të mëdha, përfshirë edhe shfrytëzimin e materialeve nga bisedat e përgjuara telefonike, në ngritjen e padive ndaj ish- zyrtarëve të qeverisë së kaluar, por edhe të tjerëve që mund të kenë kryer vepra penale, njofton rel.

“Të gjitha përgjimet të vazhdojnë të jenë prova materiale për proceset gjyqësore që do të zhvillohen edhe në të ardhmen. Nuk duhet të ketë kufizime kohore, por afati i veprimtarisë së Prokurorisë Speciale duhet të jetë i përhershëm”, ka deklaruar Sela duke kërkuar themelimin edhe të një gjykate speciale.

Edhe partia tjetër opozitare, Lëvizja Besa, i ka dhënë mbështetje vazhdimit të punës së Prokurorisë Speciale, por edhe kjo kërkon që të mos kufizohet puna e saj lidhur me aferën e përgjimeve.

Marketing