Vizitën e parë kryeministri grek në Shkup pritet ta mbajë në muajin mars ose prill, por edhe për vizitën e Athinës me aeroplanin qeveritar të Republikës të Maqedonisë së Veriut, ka folur kryeministri Zoran Zaev për Agjencinë e pavarur gazetareske ballkanike (IBNA), nga konferenca e sigurisë së Munihut.
“Tani edhe zyrtarisht jemi Maqedonia e Veriut, ndërruam shumë simbole në tërë vendin tonë dhe gjithsesi e presim vizitën e parë të Aleksis Cipras, ndoshta në mars ose prill kur është më së miri për të. Pastaj unë do ta vizitoj Athinën, diçka që është shumë e mirë, sepse shpesh herë e vizitoj Selanikun dhe me siguri do ta vizitoj sërish. Por, në Athinë, do të vij për herë të parë me aeroplanin qeveritar në të cilin do të shkruajë “Republika e Maqedonisë së Veriut”, që t’u tregoj miqve tanë nga Greqia, nga Maqedonia greke, se ne i përmbahemi marrëveshjes dhe duam marrëdhënie miqësore me fqiun jugor”, thotë Zaev.
Kryeministri për IBNA flet edhe për çmimin që sonte, në Konferencën e sigurisë së Munihut, do t’i dorëzohet atij dhe homologut të tij grek për Marrëveshjen e Prespës. Thotë se është nder i madh dhe e jeton njërën nga ëndrrat e tij”, Greqia të jetë vend miqësor.
“Nder i madh është që do ta marrim këtë çmim nga Konferenca për siguri në Munih, njëra nga konferencat më të rëndësishme botërore. I rëndësishëm është fakti që jemi shembull pozitiv, duke i treguar botës se përmes praktikave dhe sjelljes evropiane, mund të arrihen marrëveshje, madje edhe për çështje të ndjeshme siç është emri i një vendi, identiteti i veçantë i të dy vendeve dhe si ndërtohen miqësitë për të ardhmen e mënyrës miqësore dhe duke hapur dyer për gjeneratën e re, për fëmijët tanë”, sqaron Zaev, për Agjencinë e pavarur gazetareske ballkanike, transmetoi MIA.
Ai shton se dëshiron të realizohen projektet e lidhura me projekte në energjetikë dhe infrastrukturë, të hapen vendkalime të reja kufitare, “që qytetarët tanë të udhëtojnë në Detin Egje, ndërsa qytetarët grek të vijnë për biznes”.