Zaevi me Vuçiqin në hapjen e degës jugore të Korridorit 10

Kryeministri Zoran Zaev sot së bashku me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq do të merr pjesë në hapjen solemne të degës jugore të Korridorit 10 në pjesën nëpër Grykën e Gërdelicës në Serbi.

Marketing

Siç u kumtua nga kabineti i kryeministrit, Zaev sonte në ora 20:00 do të mbajë fjalim në ceremoninë solemne me rastin e hapjes për komunikacion të autostradës në Korridorin 10 te Gryka e Gërdelicës, në Vlladiçin Han, ndërsa do të shoqërohet nga ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugarevski.

Korridorin 10 për komunikacion do ta hapë presidenti serb Vuçiq, ndërsa në ceremoninë solemne, siç kumtuan nga Kabineti i tij, do të marrin pjesë edhe kryeministrja Ana Bërnabiq dhe ministrja e Ndërtimtarisë, Komunikacionit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajlloviq.

“Mendoj se arritja e Zaevit është lajm i rëndësishëm dhe e tregon rëndësinë e Korridorit 10”, deklaroi Vuçiq në prag të hapjes së autostradës, duke shtuar se nga Beogradi deri në Maqedoninë e Veriut tani do të arrihet për tre orë.

Ai përkujtoi se hapjes së pjesës së autostradës përmes Grykës së Gërdelicës prej 26,3 kilometrave, i ka paraprirë hapja e pjesës nga Grabovnica deri Gërdelicë prej 5,6 kilometra, pastaj Vlladiçin Han – Vranje prej 28 kilometrave dhe Levosoje -Sërpska Kuqa prej 10 kilometrave.

Sipas ministres së Ndërtimtarisë, Komunikacionit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajlloviq, punët në Grykën e Gërdelicës kushtojnë pothuaj 400 milionë euro dhe kjo ishte vend ndërtimi më i vështirë në Evropë.

Me hapjen e pjesës në grykën e Gërdelicës, Serbia përmes Korridorit 10 tërësisht do të lidhet me 600 kilometra autostradë nga kufiri me Maqedoninë e Veriut deri në kufirin me Hungarinë.

Në pjesën përmes Grykës së Gërdelicës të gjatë 26,3 kilometra, shoferët nga Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të kenë mundësi të kalojnë nëpër dy tunele të reja dhe 33 ura. Tunelet Predejane dhe Manajle janë me gjatë të përgjithshme prej 2,8 kilometrave, ndërsa 33 urat janë me gjatësi të përgjithshme prej 5,7 kilometrave.

Korridori 10 është një nga korridoret më të rëndësishme transportuese pan-evropiane, që kalon përmes Serbisë dhe i lidh Austrinë, Hungarinë, Slloveninë, Kroacinë, Serbinë, Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.