Në shumë institucione e drejtori shtetërore ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe po i bëhet obstruksion gjatë zbatimit praktik. Kështu që, gjatë komunikimit me shkrim midis këtyre institucioneve e drejtorive, por jo vetëm edhe në komunikimet tjera bëhet shkelje flagrante e ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, për arsye se dokumentet nënshkruan nga krerët e institucioneve vetëm se në një gjuhë, shkruan gazeta KOHA.
Sipas Ligjit për përdorimin zyrtar të gjuhëve, të gjitha dokumentacionet dhe komunikimet zyrtare duhet të vulosen me vulë në dy gjuhë, dhe në të njëjtën kohë edhe të nënshkruan po në dy gjuhë.
Ndërkohë, Ligji për përdorimin e gjuhëve ka hyrë në fuqi më 15 janar të vitit 2019, kur edhe u shpallë në “Gazetën Zyrtare” të Maqedonisë së Veriut. Për zbatimin praktik të ligjit u parapa edhe formimi i Agjencisë për përdorimin e gjuhës dhe Inspektorati për Zbatimin e tij. Edhe pse Agjencia për përdorimin e gjuhëve është formuar dhe tanimë është në vijë të konsolidimit, është zgjedhur drejtori dhe vijon ekipimi, Inspektorati për zbatimin e ligjit ende nuk është formuar. Sipas nenit 20 të ligjit për përdorimin e gjuhëve Ministria e Drejtësisë obligohet që ti propozojë Qeverisë propozim ligj për formimin e inspektoratit që më pas ekzekutivi t’ia nis Parlamentit në miratim. Më 19 shkurt, Qeveria i ka kërkuar ministres së Drejtësisë, Renata Deskoska që në afat prej 15 ditësh të përgatit dhe t’ia nis Qeverisë për shqyrtim propozim ligjin por ende edhe pas kalimit të 1 muajit i njëjti nuk është adresuar në Qeveri.
“Ministria e Drejtësisë obligohet që në afat prej 15 ditësh të përgatit dhe propozojë draft-ligjin për formimin e Inspektoratit për zbatimin e ligjit të gjuhëve”, thuhet në vendimin e Qeverisë nga 19 shkurti. Por, nga ana tjetër nga ministria e Drejtësisë, për gazetën KOHA, thonë se po punohet në hartimin e ligjit dhe se janë çështje ditësh kur i njëjti do ti dërgohet Qeverisë.
“Grupet e punës në Ministrinë e Drejtësisë po punojnë në hartimin e ligjit. Punohet intenzivisht. Së shpejti, ndoshta brenda një jave i njëjti do të dërgohet në Qeveri për shqyrtim”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Por pikërisht mosformimi i Inspektoratit është shkaku që Agjencia për mbikëqyrjen e përdorimit e Gjuhëve që nuk mund të veprojë në terren, apo siç thonë “i kemi duart e lidhura”.
Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë thotë se të gjitha anomalit, pengesat, gabimet etj., për zbatimin e ligjit të gjuhëve institucionet, drejtorit etj., duhet ti mënjanojnë në afat prej 6 muajsh ashtu siç parasheh ligji. “Qeveria ka formuar trupa ndër-resorësh në nivel sekretarsh shtetëror. Të gjitha institucionet obligohen që në afat prej 6 muajsh ti bëjnë të gjitha përgatitjet për harmonizim në bazë të ligjit. Pas kalimit të kësaj periudhe kalimtare, në rast se nuk respektohet ligji dhe dispozitat e tij, Inspektorati duhet të veproi, ta bënë punën e vet”, deklaroi për gazetën KOHA, Muhamet Hoxha, zëdhënës i Qeverisë. Ndërsa, sipas Nenit 23 të Ligjit për përdorimin e gjuhëve në afat prej një viti nga dita e hyrjes në fuqi të ligjit të gjithë institucionet kompetente janë të obliguar që t’i sjellin aktet nënligjore për zbatim të këtij ligji. “Në afat prej gjashtë muajve nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji, institucionet obligohen t’i zbatojnë obligimet…”, thuhet në paragrafin 2 të Nenit 23.
Ndërkaq, për juristin e së drejtës-evropiane, Muhamer Pajaziti, zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk është marrë me seriozitet nga qeveria aktuale. “Ende nuk është caktuar kuadri profesional për përkthimin e dokumenteve dhe shkesave tjera pa gabime drejtëshkrimore. Kjo po shihet me mbishkrimet nëpër tabela në vendkalimet kufitare dhe në institucione tjera ku gjuha shqipe shihet e cunguar dhe e bastarduar. Edhe nëse plotësohet kuadri në këtë drejtim kam frikë se ai nuk do të jetë i duhuri. Partitë politike vazhdojnë me logjikën që të punësojnë sa më shumë militantë dhe partizanë partiakë për të rritur numrin e anëtarësisë. Çdo ligj kërkon mekanizmat përcjellës dhe vullnet për tu implementuar. Ne kemi shumë ligje evropiane, por ato ligje nuk reflektojnë në terren ose në jetën e përditshme të qytetarëve. Mendoj se në këtë drejtim duhet të kërkon përgjegjësi, sepse çdo ligj parasheh edhe sanksionet për mos zbatim”, thotë për gazetën KOHA, Pajaziti.
Ai vlerëson se, maqedonasit ende udhëhiqen nga tendencat diskriminuese. Shteti apo qeveria e nuk harxhon para për gjithë atë gamë të gjerë të nevojave dhe kërkesave për implementimin e ligjit për gjuhët, edhe pse ashtu i cunguar.
“Respekti për diversitetin gjuhësor dhe kulturor është mishëruar në Kartën Evropiane të të Drejtave themelore të miratuar nga liderët e BE-së në vitin 2000. Ajo nuk mbulon vetëm 24 gjuhët zyrtare të Unionit, por edhe shumë gjuhë regjionale dhe të pakicave që fliten në segmente të popullsisë së saj. Përpos vendeve të Bashkimit Evropian ne kemi edhe raste tjera në rajon, ku edhe gjuhët e pakicave janë zyrtarizuar. Ligji i Gjuhëve i miratuar nga Parlamenti i Kosovës, gjuhën e komunitetin serb i cili përbën vetëm 6 për qind të popullsisë e ka përcaktuar si gjuhë zyrtare. Për veç në nivelin qendror, ky ligj si gjuhë zyrtare i llogaritë edhe gjuhët e popujve të cilët përbëjnë më shumë se 3 për qind të popullsisë në komunat e shtetit të Kosovës, pra në nivelin lokal. Ky ligj parasheh edhe shumë përfitime për pakicat kombëtare në shtet”, thekson Pajaziti.
Në mungesë të Inspektoratit dhe me një Agjenci, e cila deri pas zgjedhjeve presidenciale do të ketë vetëm drejtorin, Qeveria themeloi grupin ndër resorësh. Por, pavarësisht kësaj, çdo ditë po shfaqen raste të reja me gabime drejtshkrimore në gjuhën shqipe, në tabelat e institucioneve publike, ndërsa nuk mbeten anash as ato private. (koha.mk)