Policia greke ka zbuluar sasi të mëdha marijuane të presuar të fshehur në trungjet e pemëve në kufirin greko – shqiptar, në zonën e Thesprotisë. Sipas policisë greke rreth 170 kilogramë marijuanë, ishin futur në 6 çanta udhëtimi që u gjetën në trungjet e pemëve dhe ruheshin në distancë nga një shtetas shqiptar, tashmë i arrestuar.
Lënda narkotike kishte kaluar nga kufiri gjelbër, ndërkohë që në pranga ra një shtetas shqiptar, i cili kishte transportuar drogën dhe një tjetër është shpallur në kërkim.
Policia greke tha se në të njëjtin vend u gjendën edhe materiale paketimi, dylbi për shikimin në terren, ushqime etj., të cilat flasin se zona përdorej si një bazë për grumbullimin e marijuanës që hynte nga Shqipëria për ta transportuar më pas në thellësi të Greqisë.
Kjo metodë përdoret nga trafikantë e lëndëve narkotike, të cilët, sipas hetimeve policore në të dy vendet, transferojnë me korrierë të vegjël drogën në kufi dhe më pas krijojnë baza në zonat kufitare greke ku magazinojnë sasitë e narkotikëve. Më pas ato transportohen me mjete të ndryshme transporti për në thellësi të territorit grek.
Greqia është destinacioni i dytë i marijuanës që kultivohet në Shqipëri pas Italisë. Kufiri jugor shqiptar me Greqinë është në shënjestrën e trafikantëve të drogës dhe pas mbylljes së disa prej pikave kufitare trafikantët shfrytëzojnë kufirin e gjelbër për të transportuar drejt Greqisë lëndën narkotike.
Shqipëria dhe Greqia nënshkruan në fillim të këtij viti një marrëveshje për funksionimin në Kakavijë të një qendre të përbashkët policore dhe doganore për të luftuar krimin ndërkufitar. Marrëveshja parashikon vendosjen e një trupe të përbashkët policore dhe doganore në mjediset e Qendrës në anën greke të pikës së Kakavijës.
Sipas marrëveshjes së përbashkët policia greke dhe ajo shqiptare do të realizojnë bashkarisht shkëmbimin dhe analizën e informacioneve që lidhen me forma të ndryshme të krimit në kufijtë e të dy vendeve, përfshirë trafikun e drogës