Zelensky: Besoj fuqishëm që kundërofensiva do të jetë e suksesshme

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Ukraina është gati të nisë kundërofensivën e saj ndaj Rusisë. Në një intervistë me gazetën amerikane ‘Wall Street Journal’ të botuar të shtunën, udhëheqësi ukrainas tha se ai beson fuqishëm se kundërofensiva do të ketë sukses, por sërish nuk dha një datë se kur do të fillojë ajo.

Presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky tha se do të donte që Ukraina të kishte më shumë armë perëndimore. Megjithatë, gjatë një interviste me gazetën amerikane “Wall Street Journal”, ai tha “Ukraina nuk mund të presë me muaj të tërë”.
Zoti Zelensky nuk dha një datë për kundërofensivën, e cila ishte parashikuar të niste në fillim të pranverës. “Ne besojmë fuqishëm se do të kemi sukses. Unë nuk e di se sa kohë do të zgjasë, por … ne jemi gati. Do të doja të kishim më shumë armë perëndimore, por ne nuk mund të presim për muaj të tërë”, tha Presidenti ukrainas, Zelensky.

Gjatë intervistës zoti Zelensky foli edhe mbi zgjedhjet e reja presidenciale në Shtetet e Bashkuara dhe mundësinë e fitores së një administrate më pak mbështetëse ndaj Ukrainës. Ai tha se kjo gjë, nuk e shqetësonte.

Ndërkohë, në fjalimin e tij të përditshëm, presidenti ukrainas trajtoi nevojën për një sistem më të fortë të mbrojtjes ajrore.

Lidhur me avionët luftarakë amerikanë F-16, Shtetet e Bashkuara kanë bërë të ditur se kjo gjë do të kërkojë kohë. Gjenerali i ushtrisë amerikane Mark Milley, Shefi i Shefave të Shtabit të Bashkuar, tha se avionët nuk do të jenë gati për kundërofensivën e ardhshme të Ukrainës. Shtetet e Bashkuara janë aleati dhe furnizuesi kryesor perëndimor me armatime për Kievin. Një ditë më parë Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se nuk mund të ketë armëpushim në Ukrainë, nëse ai nuk është pjesë e një marrëveshjeje për paqe “të drejtë dhe afatgjatë”, ku përfshihet tërheqja e ushtrisë ruse. Sipas sekretarit amerikan të shtetit, nëse Rusisë do t’i lejohej të mbante territorin e pushtuar ukrainas, kjo do të jepte një mesazh të gabuar për Moskën dhe për të gjithë agresorët e tjerë në të ardhmen./voa